Ndarja nga jeta e Bujar Nishanit, lajm i hidhur për familjarët dhe familjen e tij politike

Ndarja e papritur nga jeta e ish presidentit Bujar Nishani është një lajm i hidhur jo vetëm për familjarët por dhe familjen e tij politike.

Ndaj shumë kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për këtë humbje përmes postimeve në facebook.

Deputeti Gazmend Bardhi: Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie. Ndarja e parakohshme nga jeta e Presidentit Bujar Nishani na ka tronditur të gjithëve. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!

Analisti Ilir Kulla: Skenderbegasi, komandanti im, drejtuesi, politikani dhe Presidenti Bujar Nishani ka nderruar jete. Per te vlen shprehja Zoteri lind nuk behesh! Qofsh i parajses!

 

Analisti i njohur Lutfi Dervishi shkruan: Bujar Nishani, ishte presidenti më i ri i Shqipërisë në momentin e zgjedhjes! Ai kishte shumë për t'i dhënë politikës dhe vendit. Ndarja krejt e parakohshme nga kjo jetë është lajm i hidhur jo vetëm për familjarët dhe familjen e tij politike, por edhe për këdo që e njohu si qytetar, si politikan dhe si shtetar! I qoftë i lehtë dheu i kësaj toke!

Deputeti Edi Paloka, shkruan: Nje lajm i hidhur ka pak qe u konfirmua ; Bujar Nishani , ish-President i Republikes, minister dhe funksionar ne disa poste te rendesishme te PD ne vite, ka nderruar jete!
Nje fatkeqesi per familjen dhe per gjithe demokratet. Respekti yne per gjitheshka dha per PD dhe per vendin, do e shoqeroje kurdohere!

Deputeti Belind Këlliçi: I hidhëruar nga ikja e President Bujar Nishanit! Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve, të afërmve dhe miqve që i kishte të panumërt për vetë personalitetin dhe zemërgjerësinë e tij! Do ta kujtoj miqësinë e tij dhe i jam mirënjohës përjetë për këshillat dhe bashkëpunimin si demokrat! I nderuar që e njoha nga afër! I përjetshëm qoftë kujtimi i President Nishanit!

Bujar Spahiu shkruan: Të Zotit jemi dhe te Ai është kthimi ynë! Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. I lutem Zotit që shpirti i tij të prehet në paqe!
Në emrin tim personal dhe të Komuniteti Mysliman të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e mia për bashkëshorten e Presidentit Nishani, fëmijët Ersi dhe Fiona dhe të afërmit e tij. Zoti u dhëntë durim të përballojnë humbjen e njeriut të tyre të dashur!
Ne i jemi mirënjohës Presidentit Nishani për vlerësimin që i ka bërë “Medresës së Tiranës” dhe “Revistës Drita Islame”.

Monika Kryemadhi: Ngushëllime familjes Nishani! Ikja e parakohshme e Presidentit Nishani është një lajm i hidhur për të gjithë, ndërsa mendimet tona në këto momente janë me Odetën, fëmijët dhe familjarët e tij. Bujar Nishani ishte zyrtari, ushtaraku, qytetari i shtetit e miku i mirë, që karakterizohej nga integriteti dhe vlerat më të larta njerëzore. Kujtimi dhe kontributi i tij për vendin do të mbetet i paharruar!

Taulant Balla: U prehsh në paqe President!

Bamir Topi: Me trishtim përjetova lajmin e ndarjes nga jeta ne mënyrë te parakohshme te Presidentit Nishani. Përgjatë një njohje e bashkëpunimi gati 30 vjeçar ruaj konsiderata te veçanta te një njeriu te përkushtuar ne te gjitha detyrat qe ka kryer me dinjitet njerezor e profesionalizëm. Me këtë rast të dhimbshëm. I dergoj familjes. Bashkëshortes  e fëmijve ngushëllimet me te sinqerta. U prehtë në paqe. Me respekt Bamir Topi. 

Fatmir Mediu: Humbja e parakohëshme e Presidentit Bujar Nishani është një dhimbje e madhe për të gjithë Ne miqtë dhe bashkëpuntorët e tij. Shqipëria humbi njeriun e drejt dhe korrekt i cili cdoherë vendosi përpara detyrën, nderin dhe atdheun, që në moshë të re dhe deri në momentet e fundit të jetës së tij. Edhe kundërshtarët e tij politik kanë humbur politikanin parimor dhe të vendosur i cili nuk bënte kompromis me të keqen, por i qëndroj besnik bindjeve të tij politike dhe interesit kombëtar. Odeta humbi bashkëshortin e saj , djali dhe vajza babin e tyre të dashur, humbën mikun dhe njeriun më të dashur, të gjithë sot famijarisht i bashkohemi dhimbjes së tyre duke ju lutur Zotit ti jap forcë për të kapërcyer këtë moment të vështirë. I nderuar President Nishani mik i dashur u prehsh në paqë, qofsh i xhenetit.

Grida Duma: Ikje nga jeta e papritur, e parakohshme, e papritur; ndryshe nga gjithçka që e personifikoi në maturi e qetësi në jetën e tij politike dhe profesionale.
U prehtë në paqe!