Vdekja e ish-presidentit, Meta: Ngushëllime familjes! Nishani do të kujtohet si personalitet me vlera të rralla

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish- presidentit Bujar Nishani.

Meta i ka shprehur ngushëllime familjes ndërsa thotë se Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, shkruan se kontributi i Nishanit për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt.

Postimi I plotë:

Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.

Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe!

Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt.

I paharruar kujtimi i President Nishanit!

Të prehet në paqen e merituar!

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.

Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.