Edhe 4 gra e 9 fëmijë i shpëtojnë kampit të ferrit në Siri. Çuçi: Kemi statistika, do riatdhesojmë të gjithë

Katër gra dhe 9 fëmijë ndërmjet moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e ferrit.

Kështu është finalizuar me sukses operacioni i katërt për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që gjendeshin në kampet e luftës në Siri.

Të riatdhesuarit u pritën nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bashkë me homologun e tij kosovar, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve, Gledis Nano e Samedin Mehmeti, si dhe drejtoresha e Qendrës CVE, Lejdi Dervishi.

Ky është operacioni i katërt dhe deri tani janë kthyer 43 fëmijë dhe gra.

Ministri Çuçi tha: Dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë dhe çdo grua. Kemi statistika të sakta të bëra nga tre operacionet e para, të cilat i kemi gjithashtu me partnerë shumë të rëndësishëm të rajonit atje, me partnerët tanë libanezë të koordinimit të shkëlqyer, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin  tonë diplomatik në Liban, Marc Ghorayeb. Me të gjitha këto lista të cilat do t’i përditësojmë akoma më tepër do të bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”

Edhe 4 gra e 9 fëmijë i shpëtojnë kampit të ferrit

Në përfundim të kontrolleve mjekësore paraprake 13 gratë dhe fëmijët e riatdhesuar nisën të transferohen nga aeroporti i Prishtinës drejt Shqipërisë nën shoqërimin e Policisë së Shtetit dhe kujdesin e veçantë të punonjësve të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Edhe 4 gra e 9 fëmijë i shpëtojnë kampit të ferrit

Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen e partnerëve tanë të vyer të SHBA-ve nëpermjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.