Thyen arrestin e shtëpisë për të shitur drogë në Kombinat e Vaqarr

Një 32 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, 32-vjeçari e shiste më pas atë, në doza të vogla, kryesisht në zonën e Vaqarrit dhe të Kombinatit.   

Personi i arrestuar është një 32 vjeçar me banim në Vaqarr.  Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur "Kodër Shkretë", me doza me lëndë narkotike cannabis sativa, informoi sot policia e shtetit.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës të shtetasit A. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Operacioni u kodua “Outside”

Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".