Alibeaj propozoi Bylykbashin për anëtar të Komisionit të Zgjedhores, Berisha i kundërpërgjigjet me Ina Zhupën për Kryesinë

Në listën me 46 kandidatë për anëtarë të Kryesisë së re që do votohen nesër ra në sy emri i Ina Zhupës, e vetmja nga grupi i deputetëve mbështetës të Lulzim Bashës.

Ish-kryeministri Sali Berisha përfshirjen e saj në këtë proces e lidh me kontributin e saj si deputete në Parlament dhe pjesëmarrjen në Kuvendin e fundit të Rithemelimit.

Berisha: Në listë është Ina Zhupa që ka luajtur rol thelbësot në parlament dhe u bashkua me Kuvendin e fundit. Ka ngritur çështje shumë të rëndësishme. Deputetët e PD pavarësisht nga qëndrimet e tyre janë të gjithë anëtarë të Këshillit Kombëtar, përveç 4-5 prej tyre nuk kanë qenë anëtarë Kryesie as në Kryesinë e mëparshme. Kryesia ka gjithësej 20, të tjerët janë ex officio. Nuk ka asnjë mundësi për atë përfshirje të gjerë që mund të mendoni për një grup parlamentar prej 52 deputetësh. Ka dy herë e gjysmë më shumë sesa ka Kryesia. Por janë të gjithë anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe janë të mirëpritur të marrin pjesë në mbledhje, të votojnë.

Një ditë më parë në një lëvizje të ngjashme, Enkelejd Alibeaj propozoi si anëtar të komisionit për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashin, edhe pse ky i fundit është në krah të Rithemelimit dhe nuk e njeh Alibeajn.