Kryesia e re, PD miraton listën e kandidatëve, mes tyre anëtarët e Komisionit të Rithemelimit dhe Ina Zhupa
Komisioni i Rithemelimit miratoi mbrëmjen e së premtes, (27 maj 2022) propozimet e kandidaturave për anëtarë të Kryesisë së re të Partisë Demokratike. Në listë Jozefina Topalli, Arben Imami, por edhe Ina Zhupa dhe Kasëm Mahmutaj. Mungojnë Albana Vokshi dhe Bujar Leskaj. Kryedemokrati Berisha deklaron se janë propozuar kandidatura me kredenciale të shkëlqyera politike.
Komisioni i Rithemelimit miratoi propozimet e kandidaturave për anëtarë të Kryesisë së re të Partisë Demokratike, të cilat Kryetari i saj Sali Berisha do t’ia paraqesë në orën 11.00 të së shtunës Këshillit Kombëtar për votim.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit se janë propozuar kandidatura me kredenciale të shkëlqyera politike.
Berisha: Lista do u shpërndahet mediave. Anëtarët e Këshillit Kombëtar do të kenë mundësi të zgjedhin mes kandidaturave alternative Kryesinë e PD. Ju do mund të shihni në ekran çdo votë për çdo kandidat në listë.Në listë janë paraqitur kontributet e Rithemelimit, janë paraqitur zonja dhe zotërinj me kontribut. Lishur me ata të cilët kanë vërejtje, sugjerime dhe kritika janë absolutisht të mirëpritur të vazhdojnë vërejtjet, kritikat, kundërshtitë ndaj Sali Berishës pa asnjë lloj hezimi. Kriter bazë kanë qenë kontributet në proces, padrejtësitë që u janë bërë. Jaë propozuar Topalli dhe Imami ndaj të cilëve ka pasur një abitraritet. Secili mund ta bënte më ndryshe, por gjykoj se është listë e shkëlqyer.
Duke përmendur rikthimin e Jozefina Topallit dhe Arben Imamit, Berisha tha se ndaj tyre është bërë një padrejtësi në të shkuarën, duke e quajtur “qëndrim brutal”.
Në listën e demokratëve ndodhen emra me kontribute në PD, të rinj e të reja, por dhe nga ata që njihen si mbështetës të ish-kryetarit Lulzim Basha si Ina Zhupa.
Pas mbledhjes në një prononcim për mediat Berisha vlerësoi kontributin e Zhupës në Parlament për disa çështje të rëndëishme.
Berisha: Në këtë listë është Ina Zhupa e cila si keni konstatuar ju ka luajtur rol të rëndësishëm në parlament dhe u bashkua me Kuvendin e fundit. Ka ngritur çështje shumë të rëndësishme. Deputetët e PD pavarësisht nga qëndrimet e tyre janë të gjithë anëtarë të këshillit kombëtar përveç 4-5 prej tyre që nuk kanë qenë anëtarë kryesie.
Pjesë e listës përveç Ina Zhupës, është gjithashtu edhe Kasem Mahmutaj, që iu bashkua më vonë Rithemelimit.
Në garën për Kryesinë e re të Partisë Demokratike do të garojnë 13 deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së.
Nga lista prej 17 deputetësh që janë bërë që në fillim pjesë e Rithemelimit mungojnë kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, të cilët janë automatikisht anëtarë të Kryesisë, por edhe Albana Vokshi dhe Bujar Leskaj.