Vrau burrin me sqepar, nëna e 10 fëmijëve dënohet 14 vite burg për krimin në Kurbin

Gjykata e Lezhës, dënoi me 14 vite burg një 60-vjeçare nënë të 10 fëmijëve për vrasjen me sqepar të bashkëshortit. Krimi ndodhi në vitin 2020 për shkak të konflikteve mes çiftit.

14 vite burg do të vuajë 60-vjeçarja Drane Deda e cila vrau me sqepar bashkëshortin në banesën e familjes në Sanxhak të Kurbinit në Nëntor të vitit 2020.

Nëna e 10 fëmijëve  u gjet fajtore për veprën “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare” dhe u dënua me 21-vite burg.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi ulje me 1/3 e dënimit të cilin do ta vuajë  në një burg të sigurisë së zakonshme.

Krimi ndodhi mëngjesin e 6 Nëntorit 2020 në banesën e familjes në fshatin Sanxhak.

Sipas dosjes hetimore, 60-vjeçarja goditi me sqepar në kokë bashkëshortin 61 vjeçar Llesh Deda teksa ishte shtrirë në krevat.

Drane Deda zbuloi se kishte qene viktimë e dhunës, por krimin e kreu në një moment trishtimi, pasi burri “ia kishte nxirë jetë”.

Burri mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Çifti i bashkëshorteve me origjinë nga Mirdita kishin pasur konflikte të vazhdueshme, pasi burri ishte përdorues alkooli.