1 mln euro në vit nga shitja e kokainës, arrestohen 8 shqiptarë në Itali, me paratë do blinin prona në Shqipëri
Pas hetimeve 4 vjeçare, policia në Parma të Italisë ka arrestuar 8 shqiptarë, të cilët merreshin me trafikun dhe shpërndarjen e drogës.
Mediat italiane bëjnë me dije se në pranga ka rënë edhe një shtetas italian.
Të dyshuarit, banonin dhe punonin kryesisht ndërmjet Fidenzës dhe Salsomaggiore. Sipas raportimeve ato kishin rreth 400 klientë, ku trafikonin kokainë. Nga shitjet që bënin mendohet se fitonin rreth 1 milionë euro në vit.
Në vitin 2018, një shqiptari që kishte lidhje me këtë grup iu sekuestrua një sasi e madhe kokaine. Ndërsa gjatë aksionit ditët e fundit, policia italiane sekuestroi edhe 400 mijë euro.
Prokuroria tha se shqiptarët planifikonin që shumat e mëdha të parave që nxirrnin nga trafiku i drogës, t’i pastronin përmes blerjes së pronave të paluajtshme në Shqipëri.
