S'ndalet Alibeaj, grupi i deputetëve të PD-së nis punën për reformat, mes emrave në komisione edhe Bylykbashi
Grupi Parlamentar i mbledhur nga, Enkelejd Alibeaj, nuk do të çojë emra për President pa ju pranuar më parë procedura e propozuar prej tyre. Përtej këtij zhvillimi grupi ka vendosur nisjen e punës për reformën zgjedhore dhe territorial, madje për këtë ka propozuar edhe emrat e anëtarëve të komisionit. Nga radhët e Rithemelimit, në Komision është parashikuar vetëm Oerd Bylykbashi, i cili nuk e njeh Alibeajn në këtë detyrë.
Deputetët të cilët e njohin Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar por dhe si drejtues në detyrë të Partisë Demokratike, kanë vendosur të hedhin një hap tjetër në punën parlamentare, duke çuar emrat për Komisionin e Posaçëm për reformën zgjedhore, reformën territoriale, por edhe për Komisionin Hetimor për investimet strategjike.
"Si thoni, ta lëmë ne betejën e reformës zgjedhore? Mos të marrim pjesë meqë përtej na qenka një palë, e cila i ha fjalët dhe tërhiqet. Po ne e dimë këtë punë.Një palë që i vjedh zgjedhjet, po e dimë ne këtë punë. Një palë që bazohet vetëm në skenarë të vegjël, qëllimi i vetëm i të cilëve është që si e si të fusin vetëm helm brenda opozitës, po e dimë këtë punë.Nuk është çudi. Detyrimi ynë është të çojmë përpara ndjeshmëritë dhe nevojat e publikut."
Në Komisionin për Reformën Zgjedhore është propozuar edhe emri i Oerd Bylykbashit, edhe pse ky i fundit është në krah të Rithemelimit dhe nuk e njeh Alibeajn.
"Ka përvojën, aftësinë por besoj edhe dëshirën për të kapërcyer këto ciklosjet e vogla që kemi për një gjë të cilën të gjithë biem dakord që duhet bërë."
Në Komisionin e Posaçëm për reformën zgjedhore por dhe reformën territoriale, vend do të kenë edhe aleatët e Partisë Demokratike, e kjo tha Alibeaj, është siguruar me aktet e ngritjes së këtyre komisioneve.
"Në vendim është shënuar që aleatët kanë postet e tyre".
Sa i përket procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri, grupi parlamentar demokrat nuk do të çojë emra.
Alibeaj tha se opozita e ka detyrim kushtetues pjesëmarrjen në këtë procedurë ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama, se e ka kthyer këtë çështje në fasadë.
Sipas tij, PS nuk i ka votat për Presidentin e ri, ndaj i qëndron kërkesës që opozita të ketë rol thelbësor, e për këtë ka një thirrje.
"Vlera e dokumentit qëndron deri në momentin e fundit ligjor. Në 12 të natës, nëse i ndërron mendja Ramës, jemi gati të mblidhemi dhe të vazhdojmë atë dokument".
