President konsensual, edhe 3 ditë kohë, Balla: PD të mos fshihet pas letrave, e presim deri të dielën

PS dhe PD nuk e kanë gjetur ende emrin që do e çonte vendin drejt një presidenti të dytë konsensual, pasi asnjëra nga palët nuk tërhiqet nga kushtet e tyre. 3 ditë para përfundimit të afatit për të dorëzuar një kandidat të dakordësuar, PS zbulon se ka nisur diskutimet me deputet të PD që t’u bashkohen votave të socialistëve për raundin e 4.

Asnjëra palë nuk tërhiqet nga kushtet e tyre për procesin e presidentit, por mazhoranca do të presë Partinë Demokratike deri të dielën në orën 16:00, afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave të mundshme për raundin e tretë.

Balla: Deri të dielën në orën 18:00 nuk do të ketë propozim nga ana e PS. Kemi rënë dakord që nuk do të propozojmë ne kandidatë deri në raundin e tretë.

Por kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla i kërkon Alibeaj që të ulet në tryezë për të negociuar por duke mos harruar t’ia kujtojë që Presidenti nuk do të jetë i PD.

Balla: Para 10 ditëve në një nga takimet publike, kemi diskutuar dhe thënë që deri në raundin e tretë do të jetë fryma e këtij dokumenti ku kanë të drejtë të pozojnë. Ata të sjellin një listë me argumentet konkretë dhe ta diskutojmë. Kjo nuk ka ndodhur. Më pas të martën kjo u sqarua tërësisht.

Taulant Balla nuk e fshehu edhe planin e socialistëve, që në raundin e katër presidenti të mos zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës.

Balla: Kam komunikuar me dy grupet e tjera parlamentare të opozitës me të cilat do të vijojmë edhe në javë të vijim. Negociatat mes tyre do të vazhdojnë. E ka shumë gabim se ne nuk e kemi legjitimitetin, ne i kemi votat, por do donim që të zgjidhej me 84 vota. Nëse nuk do të ushtrohet kjo e drejtë nga opozita në do të ushtrojmë të drejtën tonë. Presidentin nuk do t’ia japim asnjë partie politike.

Të hënë në orën 10 socialistët dhe demokratët do të paraqiten në Parlament për të ezauruar edhe raundin e tretë, i cili kërkon 84 vota.