Kanaçe për të mbushur barkun, 62-vjeçari i pastrehë apel për ndihmë: Shteti më hoqi dhe ndihmën ekonomike
Si kjo dhomë ku pothuajse gjithçka mungon dhe çatia është duke rënë është dhe dhoma tjetër ku qëndron kryefamiljari Astrit Myrto.
"Rrezik do vijë ndonjë gjarpër të na hajë këtu.Çfarë do bëjmë?"
62-vjeçari prej vitesh jeton vetëm me një djalë në Valias. Fati nuk ishte me të.
Bashkëshortja e tij ndërroi jetë në moshë të re, duke e lënë atë vetëm me tre fëmijë, ku më i vogli në atë kohë ishte 6 vjeç.
"Në atë kohë punoja në minierë. Kur ikja për punë më ndiqtë djali i vogël, qante."
Ai thotë se është më keq se në mesjetë, ndërsa prej vitesh jeton në terr.
"Nuk kam drita, po bëj vite. Nuk kam asgjë."
Shteti nuk i është gjendur. Madje dhe ndihmën ekonomike që dikur e merrte, ja kanë hequr.
"Asgjë fare. Merrja një 50 mijë lekësh ndihmë sociale dhe atë ma hoqën".
Thirrja e tij shkon për këdo që ta ndihmojë, pasi për të siguruar ushqimin atij i duhet që të dalë dhe të mbledhë kanaçe.
"Dal mbledh kanaçe të marrim bukë, edhe djali po ashtu. Ta vënë dorën në zemër të më ndihmojnë se edhe unë njeri jam. Sa të jetoj të jetoj të paktën, jo të vdes kështu me probleme."


