Birra dhe sherre në Tiranë, policia ndalon autobusin e marrë peng nga tifozët, i zbret të gjithë në tokë
Edhe të mërkurën nuk munguan incidentet mes dy tifozerive të Romës dhe asaj të Fejnordit në kryeqytetin shqiptar. Pas tentativave për tu futur pa bileta në stadium, hedhje flakadanësh dhe grushte në shkallët e “Air Albania” ishin panorama e tensioneve që shoqëruan finalen e parë të Conference League.
Edhe gjatë së mërkurës nuk munguan incidentet në rrugët dhe shkallët e stadiumit ku do të mbahej finalja e parë e Conference League.
Përkundër kontrolleve të rrepta nga policia në hyrje të stadiumit, tifozët holandezë ia dolën të fusnin brenda flakadanë, të cilat i ndezën në tribunë, duke i hedhur madje dhe në fushën e blertë të stadiumit "Air Albania".
Akoma pa filluar ndeshja në shkallët e “Air Albania” do të nisnin tensionet mes tifozëve.
Në një video të siguruar nga RTV Ora, shihet se tifozët holandezë janë konfliktuar me tifozët e Romës në shkallët e stadiumit “Air Albania” aty ku pritej të luhej edhe ndeshja mes Romës dhe Feyenoord.
Nga pamjet në fjalë shihet qartë se disa tifozë, godasin me grushte një person tjetër dhe duket se shkak është bërë ngatërrimi i tribunës nga ana e tifozit Romanist.
Por ka qenë policia ajo që ka ndërhyrë ku dhe ka bërë të mundur ndarjen e tyre.
Ndërkohë shihet se si pasojë e sherrit një person ka përfunduar i shtrirë në tokë.
Edhe pse ishin të qetë teksa dolën me humbje nga stadiumi një moment tensioni do të raportohej në zonën e Pedonales, ku ishte përqendruar tifo-grupi holandez i Feyenoord pas mbylljes së finales së Conference Leauge.
Një tifoz holandez në gjendje të dehur goditi një efektiv, e menjëherë ka ndërhyrë policia që ka bërë dhe arrestimin e tifozit dhe qetësimin e situatës.
Ndërkaq një tjetër moment i paqartë i mbrëmjes së të mërkurës kishte të bënte me ndalimin e një autobusi nga forca të shumta policie, pas sinjaleve që mjeti ishte marrë peng nga disa tifozë.
Por pavarësisht këtyre rasteve, incidentet e së mërkurës mbeten sporadike në krahasim me ato të së martës, ku huliganët nga të dyja tifozeritë u përleshën me forcat e policisë shqiptare në rrugët e kryeqytetit tonë.

