Tiranë, organizonin lojëra fati, arrestohen 2 persona, procedohet pronari i lokalit
Finalizohet operacioni policor i koduar "Seria A" për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Goditet 1 rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Po ashtu, procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit, i cili e kishte e vendosur subjektin e tij, në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Seria A". Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. H., 34 vjeç, dhe A. K., 61 vjeç, për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara". Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. C., 44 vjeç, dhe V. D., 22 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara". Po në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. D., 34 vjeç, pronari i lokalit, për veprën penale "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara".” – njofton policia.
Këta shtetas ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në një lokal në Laknas, që shtetasi L. D. e kishte vendosur në dispozicion për organizimin e këtyre lotarive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
