Këshilla e Ramës për demokratët në Kuvend: Rrafshoni PD si Teatrin se do t'ju zërë brenda
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi debatin me deputeten Tabaku lidhur me projektligjin për menaxhimin e Parkut të Butrintit dhe ligjin për investimet strategjike për të ironizuar zhvillimet e brendshme në PD.
Sipas tij, deputetët demokratë nuk mund të kërkojnë që Teatri Kombëtar dhe stadiumi të bëhen siç ishin kur ata vetë nuk po e bëjnë dot PD si ishte.
Parashikimi i tij shkoi më tej kur tha se kjo s'ka për të ndodhur as në të ardhmen.
Ndaj ai pati një këshillë për ta, ta rrafshojnë si Teatrin ose do ti zërë brenda.
Rama: Ju thoni pse nuk restaurove teatrin dhe stadiumin siç ishte, ku ndodh kjo, në cilin vend të botës ndodh kjo? Nuk ekziston përveçse nëpër filma, kur bëhen skenografi filmash. Ju nuk po bëni dot PD si ishte dhe nuk keni për ta bërë dot. Po nuk tentuat ta bëni si me Teatrin Kombëtar që ta rrafshoni komplet dhe ta ngrini nga e para do t'ju zërë brenda të gjithëve. Nuk bëni dot një copë PD si ishte dhe doni të bëni stadiumin si ishte, teatrin si ishte. Dallimi mes të shëmtuarës dhe të bukurës është dallim themelor, shumë i rëndësishëm. Aty ndahen shumë gjëra po të shikosh çfarë ndodh deri dje dhe çfarë ndodh sot.
