Rama: Kërkoni të ngrini komision hetimor për investitorët, jeni në terezi? Apo të ikin nga sytë-këmbët?

Kryeministri Rama i ka mbyllur derën opozitës  për ngritjen e komisionit të posaçëm për investimet strategjike.

Rama tha se kjo do të shënonte largimin e investitorëve nga Shqipëria ende pa filluar nga puna.

Por një shteg të hapur e la për investitorë strategjikë të cilët kërkojnë të investojnë në prona private.

Rama: Nuk thashë që çfarë lidhje kanë investitorët strategjikë me Butrintin, nuk kanë lidhje fare. Unë thashë çfarë keni ju me investitorët strategjikë, nuk e kuptoj. Së pari investimi strategjik ka proces të gjatë dhe jo të gjitha rezultojnë në fund me lidhjen e kontratës. Ne kemi procedurë shumë strikte, kërkuese dhe të bazuar hap pas hapi në të gjitha normat ligjore dhe kërkesën për të nxjerrë maksimumin në favor të interesit publik. Kjo vlen në rastin e portit të Durrësit ku bëhet fjalë për një aset shtetëror. Kërkoni të ngrini komision hetimor për investitorët, a jeni në terezi apo nuk jeni në terezi? Si mund të bëhet kjo? Apo që investitorët të ikin nga sytë-këmbët dhe të mos kthehen më kurrë në Shqipëri pa filluar punën.

Ndërsa e dyta, kur bëhet fjalë për investitorë strategjikë të cilët kërkojnë të investojnë në prona private atëherë këtu jemi komplet në një fushë tjetër, terren tjetër. Patjetër që do të kishte qenë mirë që Ksamili të mos zhvillohej në mënyrë barbare. Flamurin e barbarisë e keni në sallë, prej 30 vitesh në majë të kokës. Ndërtimet pa leje nuk janë ngjarje sporadike por ideologji e tërë. Ksamili që ka qenë brenda parkut të Butrintit në 1999 kur është shpallur parku i Butrintit, pjesa më e madhe ka qenë brenda kufijve të parkut.

Doli jashtë se realiteti në terren ndryshoi. Lidhja shkak-pasojë që bëni ju është spekulative.Mund të vlejë për akuza, për të krijuar ndasi mes tifozëve por nuk bazohet në asnjë fakt dhe asnjë provë. Sikundër është e drejtë e qeverisë të bëjë edhe heqje nga një zonë apo zonë tjetër nëse e sheh të arsyeshme për një çështje të caktuar, nuk ka ndodhur në këtë rast, por mund të kishte ndodhur. Pse u dashka që këtu o të ketë korrupsion o nuk ka? Sepse këtë keni bërë ju kur ishin në pushtet, për këtë arsye? Pse?