Ministri Manja izolon për një vit në "41 bis" Viktor Ymerin dhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm 41 bis për një afat 1 vjeçar të shtetasve Viktor Ymeri alias Viktor Bajraktari, Klement Çala dhe Eldi Çala.
Vendimi i Ministrit të Drejtësisë vjen pas një bashkëpunimi dhe bashkëveprimi të ngushtë me agjensitë e zbatimit të ligjit SPAK, DBP, Policia e Shtetit, SHISH, SHKB.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, akuzohen si autorë të grabitjes së 10 milion eurove në Rinas, sëbashku me Talo Çelën në 9 prill 2019.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 24 vite burg për Klement Çalën dhe 19 vite burg Eldi Çalën.
Ndërsa Viktor Ymeri, ish-anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë, u dënua me 25 vite burg për dy vrasje të kryera në vitin 1999. Ai u lirua ditët e fundit të dhjetorit 2019 me lirim para kohe me kusht.
Gjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani më 27 dhjetor vendosi për lirimin e tij të menjëhershëm, me argumentin se atij duhet t’i njiheshin edhe ditët e punës që kishte kryer në burgun e Peqinit.
Por liria e tij zgjati vetëm pak muaj pasi vitin 2020 ai u arrestua me urdhër të prokurorisë së Posaçme si bashkëpunëtor në vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

