Fëmijët frikë edhe në vijat e bardha, informohen mbi rregullat e qarkullimit dhe ndihmën e parë

Aksidentet e shtuara edhe në vijat e bardha janë një rrezik për nxënësit e disa prej shkollave të Tiranës. Ata janë njohur të premten me rregullat e qarkullimit rrugor dhe disa teknika të ofrimit të ndihmës së parë në rastet e ngjarjeve rrugore. Fushata e Kryqit të Kuq synon edukimin e të rinjve me rregullat e qarkullimit moszbatimi i të cilave në jo pak raste sjell aksidente.

Në rrugë të gjithë jemi të ekspozuar ndaj rreziqeve madje edhe kur respektojmë me përpikmëri rregullat e qarkullimit.

Juana nxënëse në klasën e pestë tregon se si një ditë i shpëtoi mrekullisht një aksidenti duke kaluar në vijat e bardha.

“Ndërsa po ecja në vijat e bardha një makinë po vinte me shpejtësi dhe ndaloi gozhdë para meje. Mua sa nuk më ra të fikët.”

Eloi, njeh shumë prej sinjaleve rrugore. Është e vëmendshme por sërish thotë se ndihet e pasigurt gjatë rrugës nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

“Kur eci në vijat e bardha, sidomos kur nuk ka semafor.”

Për të njohur të vegjlit me rregullat e qarkullimit rrugor si dhe me mënyrën e dhënies së ndihmës së parë Kryqi i Kuq zhvilloi të premten një aktivitet informues.

Cristian Cura, nga Kryqi i Kuq thotë se kur ndihma e parë ofrohet siç duhet shpëton jetë.

“Po të ketë njohuri bazike shpëtohen jetë. Sa më herët të edukohen fëmijët aq më mirë.”

Përveç nxënësve, projekti i Kryqit të Kuq “Të sigurt për në shkollë, të sigurt për në shtëpi” synon edhe trajnimin e stafit pedagogjik.