Kraja përballet me deputetët, në hetim dosje për abuzimet me fondet e rindërtimit

Raportimi i kreut të SPAK Arben Kraja para Komisionit të Ligjeve për punën e bërë gjatë vitit 2021 është shoqëruar me debate për deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë. I pyetur nga deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj për qëndrimet e kryeministrit, kreu i SPAK tha se nuk dëshiron të komentojë.

Arben Kraja: "Në kemi një parim dhe një standart që kemi vendosur të mos ndikohemi nga deklarimet publike. Nuk ndalojmë dot deklarimet publike të askujt."

Deputetët diskutuan për një nismë ligjore që e ndalon ndërhyrjen e politikës tek drejtësia, por kreu i SPAK, u kujtoi se një paragraf i tillë ishte hequr nga paketa e reformës në drejtësi.

Arben Kraja: "Në draftin e reformës në drejtësi ka pasur një nen që duhet të ndalohet ndërhyrja politike, më pas u hoq, është në dorën tuaj. Kuptohet sa më komod të jesh është mirë, por nuk është diçka shqetësuese për ta kthyer në një nismë ligjore"

Deputeti socialist Pandeli Majko, edhe pse insistoi në lidhje me nisjen e hetimeve nga SPAK për personat e shpallur non grata nga SHBA, nuk mori një përgjigje.

Arben Kraja: "Kjo është një pyetje që nuk mund të jap përgjigje sepse me ligj e kemi të ndaluar të japim opinion për institucionet e tjera për vendimmarjen e tyre"

Në këtë vijë logjike, kryetarja e komisionit Klotilda Bushka solli në diskutimin shqetësimin e kryeministrit për parashkrimin e mundshëm të dosjeve vjetra, por kreu i SPAK tha se ligji e ka zgjidhur këtë situatë.

Arben Kraja:"Prokurorët nuk mund të shkojnë të bëjnë "inventarin" e situatave për të vlerësuar se kjo është në parashkrim apo kjo nuk është në parashkrim. Kryeprokurori ëshët për ta vlerësuar. Në qoftë se një dosje parashkruhet në dorë është shkelje."

Kritikave të deputetit Fatmir Xhafaj për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturave të posaçme hetimore të saj kreu i SPAK iu përgjigj duke kujtuar një seri problematikash me të cilat është ndeshur pasi mori detyrën.

Arben Kraja: "Unë kam ardhur këtu i kam thënë që ka filluar punë drejtori i Byrosë Kombëtare të hetimit por nuk ka rrogë për tu paguar. Nuk ishte në ligj e shkruar. Ka punuar 8 muaj pa rrogë. I kam dhënë në fund të gjitha bashkë. Do emërojmë hetuesit por nuk ka rrogë keni harruar të shkruani rrogën. Do të emërojmë hetuesit financiar të prokurorisë por nuk i keni përcaktuar statusin."

Pyetjes së Xhafajt se pse SPAK ka vetëm 15 çështje penale të nisura kryesisht gjatë vitit 2021 Kraja iu përgjigj me faktin e mbingarkesës por shtoi se procedurat në fjalë do të shikohen me prioritet. Kreu i SPAK iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me abuzimet me fondet e rindërtimit, ku theksoi se ka çështje të tilla të cilat beson se do të marrin zgjidhje në kohën e duhur.

 "Mesa kam unë informacion janë disa prokurori në rrethe gjyqsore  që po hetojnë procedime penale që lidhen me përdorimin e fondeve  që lidhen me tërmetin. Janë çështje në hetim dhe besoj do të marrin zgjidhjen e duhur ligjore", tha Kraja.