Presidenti/ Kikia: Lojë teatrale, socialistët po shfrytëzojnë për të dëmtuar maksimalisht kampin opozitar

Gazetari Mentor Kikia, tha që prej dy javësh po zhvillohen negociata mes grupeve parlamentare pa pasur një emër.

Në një intervistë për Ora News, Kikia tha se opozita nuk ka seriozitet në këtë proces, pasi sipas tij nëse do ishte kështu do të shkonte vetëm me një kandidaturë të vetme, e cila fillimisht duhet të negociohej brenda kësaj force politike.

Mentor Kikia: Institucioni i presidencës ka qenë një institucion që është synuar nga ai që ka pasur mazhorancën dhe të dyja palët qoftë socialistët, qoftë demokratët kur kanë qenë në pushtet janë sjellë në të njëjtën mënyrë. Aty ku ka qenë  e pamundur caktimi i një njeriu tërësisht të kontrolluar, palët janë drejtuar një lloj procesi që quhet negociatë, por në të vërtetë ka qenë pazar. Ajo që është gati gati komike, u parapri nga një vetëprezantim apo kandidim, i një numri personash pa asnjë lloj background politik. Ka dy javë  që zhvillohen negociata pa pasur një emër. Negociojmë për çfarë?

Grupi parlamentar që vazhdon negociatat me PS hidhet në një lëvizje të paprecedentë. Thotë se morën të drejtën për të propozuar një listë. Procedura kushtetuese është shumë e qartë. Kandidatin për president e propozon një numër jo më pak se 20 deputetë. Këtë të drejt nuk mund ta fitosh me negociata.  

Është një listë prej 10 personash, hidhen në treg për konsum publik. Është e njëjta situatë me ata që u vet propozuan. Shumë prej mund ta meritonin të ishin në krye të shtetit, por mënyra se si po veprohet nuk ka asnjë lloj serioziteti. Unë do fyhesha nëse do të isha në këtë listë. Nëse opozita do të kishte pasur minimumin e seriozitetit, do të duhet që e gjitha bashkë të ulte flamurin e luftës dhe të ngrinte flamurin e bardhë dhe të shkonte me një kandiaturë, të negociuar brenda vetes fillimisht.

Teksa e ka konsideruar si lojë teatrale, Kika është shprehur se socialistët po interpretojnë skeçin e shkruar vetë, duke qenë se e kanë vendosur se kë do zgjedhin president.

Ai tha se loja që po luan PS i shërben luftës për të shkatërruar lëvizjen e Berishës.

Mentor Kikia: Ne jemi në një lojë teatrale. Nuk ka asnjë të papritur. Skeçi është shkruar e tani po interpretohet. Socialistët e kanë presidentin, e kanë vendosur, nuk na i kanë treguar por tani po luan lojën. Ky proces po shfrytëzohet për të dëmtuar maksimalisht kampin opozitar. Socialistët po luajnë  një lojë shumë të bukur politike duke promovuar grupin e Alibeajt,  duke konsideruar atë si opozitë zyrtare, duke negociuar me ta. Duke njohur ata si PD, edhe pse janë të qartë se nuk është PD. Kjo i shërben luftës për të shkatërruar lëvizjen e Berishës. Berisha është i kërcënuar nga ky promovim që po i bëhet grupit të Alibeajt.