Mashtrimi me çajin "magjik", apeli i mjekëve: Mos hiqni dorë nga medikamentet!
"Ora investigim" ka ngritur alarmin se jeta e të moshuarve po vihet në rrezik, pasi individe të ndryshëm që fshihen pas faqeve online reklamojnë çajra që kurojnë hipertensionin.
Këto produkte bimore nuk mund ti gjesh në farmaci por mund ti porositësh vetëm online dhe këshilla që të jepet nëpërmjet telefonit është se ai është zgjidhja dhe ilaçet nuk janë më të nevojshme për tu përdorur.
Gazetarja: Ndërsa përdor këtë mund të heq ilaçet.
Shitësja online: Po por javën e parë ti merrni paralel dhe pas 10 ditëve i largoni fare. Nga përvoja e klientëve të mi po ju flas. Nuk përdorin më ilaçe. Kura është 4 mujorshme e merrni pa ndërprerje, 3 herë në ditë.
Duke u nisur nga fakti që keqinformimi mund të kushtojë edhe jetë, kërkuam mendimin e mjekëve specialistë.
Doktoresha e Shkencave, Engjëllushe Hasani, këshillon se asnjë lloj çaji nuk e mban në kontroll tensionin përveç medikamenteve.
"Nuk ka çajra bimorë që bëjnë mrekulli dhe suplemente për sëmundjet e hipertensionit dhe ato kardiovaskulare në përgjithësi. Absolutisht duhen medikamente dhe vetëm medikamente. Nëse një pacient ka përdorur disa vite medikamente anti-hipertensive të mos e diskutojë më ndërprerjen e këtij medikamenti sepse nuk ka asnjë gjë që e mban në kontroll tensionin përveç medikamenteve."
Mjekja kardiologe hedh poshtë idenë se presioni arterial mbahet në kontroll me çajra dhe suplemente, teksa ka edhe një apel për personat që vuajnë nga tensioni i lartë.
"Më vjen jashtëzakonisht keq që paska njerëz që akoma besojnë se mund të shërohen ose mund të trajtojnë probleme të shëndetit të tyre me anë të çajrave. Më duket pak diskutim joserioz që ne të mendojmë që të zëvendosojmë këto medikamente me çarja dhe suplemente. Një gjë të kenë parasysh pacientët, që do të mjekohen derisa të jenë gjallë.Nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç mjekimit dhe trajtimit medikamentoz."
"Ora investigim" ka sjellë në vëmendje edhe të dhënat kontradiktore për çajin bimor që shitet online.
Në informacionin e publikuar citohet se ky preparat u krijua në 2015 nga Instituti i Zemrës dhe Vaskulave në Prishtinë, ndërsa miratimi klinik u krye në një spital që nuk dihet kush është, në Shqiperi në vitin 2011.
Me këtë logjikë absurde ky produkt u lejua të shitej 4 vite para se të krijohej.
