Kikia: Të gjithë kanë frikë përballë Berishës, futja e Elezit në garë risi për partinë

Gazetari Mentor Kikia, teksa ka folur për situatën brenda PD dhe zgjedhjet e 22-majit, është shprehur se Sali Berisha është një kandidat pa rivalë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Kikia tha se Berisha po zhvillon takime me demokratët për të mbajtur gjallë adrenalinën që prodhoi foltorja.

Mentor Kikia: Berisha është ai soji politikani që nuk rri dot urtë. Berisha ka zbritur në terren për të bërë fushatë e cila mund të konsiderohet e panevojshme në aspektin e fushatës në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi Berisha është një lloj kandidati pa rivalë. Më shumë se sa fushatë, Berisha ka zbritur në terren për të kontaktuar me demokratët për të mbajtur gjallë adrenalinën që prodhoi foltorja. PD vazhdon të jetë e ndarë ende në dy pjesë.

Berisha kishte të tjerë njerëz nëse do të donte të fuste në lojë një person thjesht për t’u justifikuar, pasi në fund të fundit të gjithë e dinë se Berisha do të futej.

Ai tha se ka qenë lëvizje e gabuar tërheqja e kandidatëve nga gara, ndërsa e ka konsideruar të guximshëm vendimin e Ibsen Elezit për t’u përballur me Berishën.

Ndër të tjera ai tha se të gjithë kanë frikë të garojnë përballë liderit historik të PD-së.

Mentor Kikia: Një gjë joserioze ishte tërheqja e disa kandidatëve që ishin ekspozuan si të tillë më herët. Kjo ka qenë një lëvizje e kritikuar, pasi në fund të fundit në një garë dikush duhet të futet, dhe duhet të futet në garë, jo vetëm kur e ka të sigurt që do të fitojë. Ky është problemi që ka çuar në mungesën e rivalëve në PD. Të gjithë kanë frikë të garojnë përballë Berishës. Futja e Ibsen Elezit, mua më duket një lloj kurajoje, pasi në fund të fundit sado vota të marri ai do të humb përballë një kampioni. E ka të sigurt që do të mundet. Garimi i Elezit është një risi në këtë parti.

Përgatiti Anila Kolgjini