Rama sulmon SPAK: Si i koordinuar me Metën,bllokoi Dvoranin, nuk po fusin në burg prokurorë e gjykatës

Në prag të nisjes së debatit për zgjedhjet vendore, në kulmin e tensioneve për zgjehdjen e Presidentit të Republikës, kryeministri Edi Rama shprehu pakënaqësinë e tij për neglizhencën e SPAK në hetimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Madje në Asamblenë e Partisë Socialiste ai akuzoi përfaqësuesit e drejtësisë së re se kanë nxituar që të hetojnë Ardian Dvoranin dhe heshtin përballë tyre.

Rama: Në Kongres solla shembulli ne arkës së peshkut. Këtu po sjell një shembull tjetër. SPAK-u ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar që të bllokojnë Ardjan Dvoranin, njeriu e vlerësuar nga DASH si një ndër kampionët në luftën globale të korrupsionit, që sot e gjithë ditën jeton në një apartament të para viteve '90-të,  që të mos e lejonte që të futej në proces që të promovohej si gjykatës.

Në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë që do të largohet nga zyra e presidentit të republikës.  Më pas procesi gjyqësor e tregoi dhe e çmontoi. Nëse ky sahat do të ishte vërtetë pakonkurueshëm sa gjykatës dhe prokurorë të dalë jashtë nga Vettingu për pasuri të pajustifikuar do të ishin sot në burg. U bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj Vettingu i ka flakur jashtë. Ku janë ata sot? Nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Ata që i kanë të rreshtuara vilat, janë duke pritur finalen e Champions League.

Për Ramën, reforma në drejtësi është thelbësore për negociatat por fakti se asnjë nga gjyqtarët dhe prokurorët e prekur nga vettingu nuk është para drejtësisë e vë qeverinë para një raporti të munguar përballë BE.

Rama: Në momentin që Shqipëria do të ulet në tryzën e negociatave, gjëja e parë që do ti thonë Shqipërisë është: Na tregoni pak sa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar janë marrë në hetim dhe janë çuar para drejtësisë. Zero. E kundërta është e vërtetë, kampioni i anti-korrupsionit, me vulë të Sekretarit të Shtetit amerikan është futur nën hetim nga SPAK për një denoncim të atij, që jo unë, por e gjithë Shqipëria pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Meta. 

Edhe njëherë Rama e vuri theksin te zgjedhja e Kreut të ri të Shtetit, por nuk pranoi kushtin e Komisionit të Rithemelimit për zgjedhjen e pasardhësit të Metës në detyrë.

Rama: Na treguakan se nuk ulen të negociojnë me ne për Presidentin po nuk jua dhamë atyre Presidencën. Këtu është siç thoshte një plakë rome, që unë e doja shumë kur isha i vogël: Të kesh dy, një ta mbash e një ta çash.

Në datën 10 maj pritet që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të diskutojë për datën 16 si seancë për raundin e parë të votimit  të Kreut të ri të Shtetit.