E enjtja nis e “përgjakur”, 4 viktima dhe 4 të plagosur në tre aksidente në rrugët e vendit

Katër persona humbën jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur në tre aksidente në rrugët e vendit mëngjesin e të enjtes.

Tragjik ishte aksidenti në autostraden Milot-Mamurras ku një taksi doli nga rruga dhe u përplas me një grumbull gurësh.

56-vjeçarja Prena Gjetani bashkë me nusen e djalit dhe dy nipërit e mitur po udhëtonin si pasagjerë drejt Rinasit.

Ishte ora 04:30 minuta, kur në afersi të mbikalimit të Sanxhakut në Kurbin, shoferi 40 vjeçar i taksisë humbi kontrollin e mjetit.

Paraprakisht dyshohet për shkak të përgjumjes në timon dhe shpejtësisë së lartë të lëvizjes.

Për pasojë 56 vjecarja humbi jetën ndërsa nusja 30 vjeçe dhe dy fëmijët mbetën të plagosur sikurse dhe vetë shoferi.

Ky është aksidenti i 11 që ndodh në rruget e Qarkut të Lezhës në harkun kohor të 9 ditëve me një bilanc 3 të vdekur dhe 22 persona të plagosur.

Gjysmë orë para aksidentit në Kurbin, ishte përgjakur Rruga e Kombit.

Një makinë me të cilën dy të rinj me origjinë nga Tropoja po udhëtonin drejt Kukësit doli nga rruga në Kolsh dhe përfundoi rreth 100 metra në humnerë.

Përplasja rezultoi fatale për 25-vjeçarin Andi Rrustaj ndërsa shoku i tij 19-vjeçar Xheku Logu, mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë gjatë transportimit në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Një aksident me vdekje u shënua edhe në Boçovë të Fierit.

Eduart Metushi, 43 vjeç ishte duke punuar me zetor kur humbi kontrollin dhe përfundoi i përmbysur në një kanal.

Mjeti e zuri poshtë duke i shkaktuar vdekjen.