Rama thirrje SPAK: Hetoni Berishën, Non Gratën e madhe, Metën dhe gjykatësit, po ju mbaron koha shtesë!

Nga Asambleja e PS-së, kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish SPAK-u duke thënë se këtij institucioni po i mbaron koha që të hetojë Berishën, Metën apo gjykatësit e prokurorët.

Ai tha se ai SPAK ka hetuar Dvoranin, por ka lënë të lirë ata që kanë vila dhe që ia kanë nxirë fytyrën Shqipërisë me korrupsion madhor.

Rama përmendi Berishën duke e etiketuar si non Gratan e Madhe dhe presidentin Meta, për të cilin sipas tij, SPAK po funksionon si sahat.

Rama: E kam udhëhequr këtë reformë pa bërë asnjë diskutim për asnjë nen, edhe pse juristët tanë kanë pasur rezerva. Unë nuk kam qenë naiv duke menduar se do të bëhet kjo dhe gjithçka do të shkojë fjollë. Jam gjithmonë e më i paduruar përballë faktit se ata që e nxinë totalisht Shqipërinë ku pandëshkueshmëria u bë simbol, sot janë të gjithë të pa prekur, ndërsa SPAK-u bën sahatin zviceran me Ardjan Dvoranin që jeton në një apartament të para viteve ’90.

Ndërkohë ata që kanë rreshtuar vilat që ia kanë falur, këta janë të gjithë të lirë. Për të mos folur për këtë non gratën e madhe që e kemi në mes të sheshit, bashkë me shpurën e tij që na treguakan se nuk ulen me ne për presidentin, nëse nuk ua japim atyre presidentin. Kjo është si ajo që më thoshte një plakë rome, të kesh dy, një ta mbash dhe një ta çash, se një nuk mjafton. Çështja e non gratës së madhe nuk është e Amerikës, është e Shqipërisë, dhe hall i popullit shqiptar. Kjo nuk është një sfidë për SHBA-të, por sensit të së drejtës në vend.

Sado të mundohemi ne dhe sado hetime e dënime të jepen në këtë vend, nëse non grata e madhe dhe ai i dyti atje, që SPAK-u funksionin si sahat, prokurorët dhe gjykatës që e bënë gjak sistemin e drejtësisë, nuk shkojnë para drejtësisë, është problem i madh i Shqipërisë të nesërmes. Kjo do të jetë kënga e re që do të fillojë në tryezën e negociatave. Ia përsëris SPAK-ut. Keni për të hetuar këdo qoftë që i përket kësaj partie, edhe nivelet më të larta, por po hyni në kohën shtesë me të keqen në këtë vend dhe ajo po kualifikohet, ndërsa ju jo.