Lindjet varen nga kreditë, familjet e reja me pak fëmijë, të pasigurta për të ardhmen

Ajet Alezaj nga Tirana këtë pranverë u bekua me vajzën e dytë. Dëshiron një familje të madhe e me shumë fëmijë, por vështirësitë ekonomike dhe pasiguria për të nesërmen e stepin.

"Pasiguria, ekonomia dhe pjesa që këta i kanë zhytur njerëzit të gjithë në kredi. Çiftet e reja janë të gjithë në kredi."

Edhe këtë vit numri i lindjeve vijoi trendin rënës.

Sipas Institutit të Statistikave në tre mujorin e parë u regjistruan rreth 6 mijë lindje, duke shënuar një rënie me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Për sociologët, arsyet që i kufizojnë të rinjtë nga krijimi i familjeve të mëdha janë të shumta.

Entela Binjaku thotë se përveç problemeve ekonomike, në këtë dukuri ka ndikuar edhe emigrimi.

"Është ndryshimi i strukturës së familjes shqiptare, e cila në mënyrë tradicionale përherë ka pasur dikë që u vinte në ndihmë çifteve kur ata sillnin në jetë fëmijë. Një arsye e tretë lidhet me emigrimin e vazhdueshëm të krahut të ri, të moshës së re. Një arsye tjetër lidhet me koston e madhe që janë duke përllogaritur vetë të rinjtë që ka në vetëvete sjellja në jetë e një fëmije."

Nismat e qeverisë në ndihmë të familjeve të reja cilësohen të papërfillshme nga sociologët.

Binjaku thotë se kjo kategori duhet lehtësuar nga proceduarat për strehim.

"Tu sigurohet një lloj asistence veçanërisht familjeve që nuk arrijnë dot të realizojnë një fëmijë përmes subvencionimit të kuadrit shëndetësor të posaçëm që ato kanë nevojë, një arsye tjetër mund të ishte më shumë politika në drejtim të punësimit dhe sigurisë në vendin e punës".

INSTAT vlerëson se në tremujorin e parë të këtij viti, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 203 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët Korça, me 379 vdekje më shumë se sa lindje.

Lindjet varen nga kreditë, familjet e reja me pak fëmijë,