Darka joformale në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, Rama poston foto me Borrell

Në Bruksel po mbahet darka joformale e përfaqësuesit të  Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Këtë vit, sipas njoftimit, çështja e sigurisë në Evropë do të jetë në krye të agjendës në dritë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit kanë zhvilluar  bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell.

Rama ndau në facebook foto dhe video nga takimi me zyrtarin e BE-së.

Nuk mungoi dhe një foto familjare.

Në darkën në Bruksel veç Ramës, marrin pjesë ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden në vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Darka joformale në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor,