"Krimi mban larg integrimin e vendit", Çuçi i përgjigjet Bardhit: Opozita shtrembëron realitetin

Mbledhja e Këshillit Kombëtar për integrimin europian të Shqipërisë është shfrytëzuar nga opozita për të krituikuar mazhorancën në këtë drejtim.

Deputeti, Gazment Bardhi, është shprehur se Shqipëria si pasojë e fuqizimit të krimit të organizuar dhe implikimit të qeverisë në të, ndodhet larg nga integrimi në BE.

Bardhi: Krimi i organizuar gjatë viteve të fundit është fuqizuar zoti Ministër, ne kemi pasur përfaqësues të krimit të organizuar në pozicione kyçe shtetërore, kemi përfaqësues të krimit të organizuar që marrin miliona euro çdo vit nga tenderat publikë dhe besoj ju këtë e dini apo jo? Të dënuar për trafik droge apo eksponentë të krimit të organizuar që marrin tendera publikë. Kemi gjithashtu eksponentë të krimit të organizuar që  ndërtojnë dhe pastrojnë para në mes të Tiranës.

Por këto kritika nuk janë pritur mirë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi, sipas të cilit opozita po shtrembëron realitetin.

Çuçi: E kam me zotin Bardhi që ka gjithmonë një tendencë për ta nxirë realitetin. Duhet të krenoheni me faktin që sot Shqipëria është e barabartë dhe merr pjesë në operacionet e përbashkëta kundër krimit të organizuar kur vetëm pak vite më parë as informacion nuk shkëmbente.

Shqipëria vijon të mbetet vend kandidat për në BE, por ende nuk ka një datë e cila të përcaktojë nisjen e negociatave.