Lufta në Ukrainë, zbulohen trupat e 44 civilëve të vrarë gjatë betejës për Izyum
Trupat e 44 civilëve janë gjetur në rrënojat e një ndërtese të shembur në qytetin ukrainas të Izyum, ndërsa lufta për kontrollin e zonës është ndezur.
Ndërtesa pesëkatëshe u shemb në mars ndërsa banorët u fshehën në bodrum nga bombardimet ruse.
Por ekipet e shpëtimit vetëm tani kanë mundur të futen në banesë. Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet më tej, pasi një tjetër ndërtesë në të njëjtën rrugë ishte gjithashtu në shënjestër.
"Ne e dimë se kishte njerëz atje gjithashtu. Puna e kërkimit po vazhdon dhe mendoj se do të mësojmë më shumë numra viktimash së shpejti," i tha BBC-së kryebashkiaku i Izyum, Valeriy Marchenko.
Rusia mori kontrollin e Izyum më 1 prill dhe trupat e kanë pushtuar qytetin që atëherë.
Marchenko tha se kur ndërtesat u sulmuan, trupat ruse kishin marrë nën kontroll gjysmën e qytetit.
Ndërsa trupat u përpoqën të përparonin, ata qëlluan drejtpërdrejt në ndërtesën ku tani janë nxjerrë trupat.
Ekipet e shpëtimit mundën të futen vetëm tani, sepse blloku i apartamenteve ishte në një zonë të pushtuar të qytetit.
"U bë e mundur vetëm disa ditë më parë që Shërbimi ynë Shtetëror i Urgjencës të arrinte atje dhe të fillonte të kërkimet në rrënoja," tha ai.
Nuk ka pajisje speciale për të pastruar rrënojat dhe gjithçka po bëhet me dorë. Ata që marrin pjesë në përpjekjet e pastrimit janë në gjendje ta bëjnë këtë vetëm kur bombardimet ndalojnë, sipas guvernatorit rajonal të Kharkiv, Oleh Synyehubov.
Izyum, i njohur si porta për në Donbas, është pjesë e rajonit të vjetër të prodhimit të qymyrit dhe çelikut të Ukrainës dhe një qytet kyç për ushtrinë ruse.
