Ukraina një hap më afër Evropës
Ndërsa lufta në Ukrainë vijon, Kievi po lobon fuqimisht që liderët e Bashkimit Evropian t’i japin shtetit properëndimor statusin kandidat për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur.
Ukraina finalizoi pjesën e dytë të pyetësorit për të marrë statusin kandidat përmes një telefonate mes presidentit Zelenski dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke i paraqitur një dokumentacion të plotë prej 9 vëllimesh.
Kievi plotësoi pjesën e parë të pyetësorit të anëtarësimit në BE më 18 prill me një shpejtësi rekord prej 10 ditësh, një shpejtësi që në Bruksel ka rritur presionin për të mos rrëzuar shpresat e Ukrainës.
Sipas zyrtarëve të BE-së, pritshmëria është që rekomandimi i Komisionit Evropian nëse krerët e bllokut duhet të diskutojnë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit, mund të hartohet deri në fund të majit dhe të jetë gati deri në fund të qershorit.
Kievit do t'i duhet veçanërisht të luftojë korrupsionin dhe të zbatojë sundimin e ligjit përpara se të pranohet si anëtar i bllokut.
Pranimi në BE është një proces kompleks, të cilin të dyja palët e pranojnë se mund të duhen vite.
Shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së mbështesin aspiratat e Ukrainës, sipas Kievit, por rreth 6 shtete janë skeptike për lejimin e vendit për procedura të përshpejtuara të anëtarësimit.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës përmendi Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën, Austrinë dhe Suedinë, si shtete të cilat do ta çonin për diskutim anëtarësimin e Kievit.
Së fundmi edhe Hungaria mund të jetë një shtet bllokues i perspektivës evropiane të Ukrainës pas refuzimit për të vendosur embargon për naftën ruse.
