Australi, donin të shpëtonin një person, policia zbulon kokainë me vlerë 20 mln dollarë në det
Një burrë është mbytur në brigjet e Newcastle, ndërsa policia duke kërkuar për të ka gjetur rreth 50 kg kokainë në të njëjtën zonë.
Burri u gjet pa ndjenja nga anëtarët e publikut në bregun e lumit Hunter të hënën (9 maj) në mëngjes.
Shërbimet e urgjencës u thirrën pasi kalimtarët u përpoqën të ringjallën burrin duke përdorur frymëmarrje artificiale, por ai ndërroi jetë në vendngjarje.
Detektivët u thirrën më vonë pasi disa pako të papërshkueshme nga uji që përmbanin kokainë u gjetën gjithashtu në plazh.
Zhytësit e policisë detare, me ndihmën e Forcave Kufitare Australiane, filluan kërkimet në ujëra dhe gjetën shumë “tulla” të tjera të substancës ilegale.
Policia bëri me dije se vlera e mundshme në rrugë e pakove të drogës arrinte mbi 20 milionë dollarë.
Ndërkohë, personi i gjetur i mbytur ishte veshur me një pajisje të specializuar që e lejonte të qëndronte nën ujë për një periudhë të gjatë kohore.
Një hetim është duke u zhvilluar aktualisht nga Skuadra e Krimit të Organizuar dhe Policia Federale Australiane, ndërsa ata përpiqen të zbulojnë pse burri u mbyt dhe nëse ai po punonte si transportues droge.
