Si në Luftën e Dytë Botërore/ Presidenti Biden nënshkruan aktin e huadhënies së armëve për Ukrainën
Njësoj siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore, presidenti Biden ka nënshkruar një akt huadhënie për armë dhe municione të tjera luftarake për Ukrainën i cili përshpejton dërgesat e tyre dhe heq kufizimet në sasi, për presidentin Zelenski vendimi do të sjellë fitore për Kievin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden nënshkroi një Akt Huadhënie për Ukrainën, i cili do të përshpejtojë dërgesat e armëve amerikane në Kiev.
Demokrati tha se kostoja e luftës është e shtrenjtë, por megjithatë edhe më e kushtueshme është t’i nënshtrohesh agresorit.
“Çdo ditë ukrainasit paguajnë me jetët e tyre dhe ata luftojnë së bashku me mizoritë që rusët po ushtrojnë. Dhe kostoja e luftës nuk është e lirë, por t’i nënshtrohesh agresionit është edhe më e kushtueshme, prandaj po i qëndrojmë kësaj. “
Akti i cili u miratua muajin e kaluar nga Kongresi amerikan heq kufizimet për sasinë e armëve dhe furnizimeve të tjera ushtarake që SHBA-të mund t’i dërgojnë Ukrainës ose vendeve të tjera të Evropës Lindore.
Megjithatë, në Akt përcaktohet se Kievi duhet të paguajë më pas, për çdo gjë që merr.
Nënshkrimi i aktit u mirëprit nga presidenti Zelenski i cili e quajti një hap historik që do e bëjë Ukrainën fitimtare njësoj si 77 vjet më parë kur u mposht Gjermania naziste.
Armët e dërguara sipas aktit të fundit nuk kanë lidhje me ndihmën ushtarake prej 4 miliardë dollarësh që Amerika ka dërguar tashmë në Ukrainë që nga fillimi i agresionit rus.
E po kështu as me kërkesën prej 33 miliardë dollarësh që Biden i bëri Kongresit në javët e fundit.
Akti i huadhënies është përdorur edhe në Luftën e Dytë Botërore, kur presidenti amerikan i atëhershëm Franklin Roosvlet në mars 1941 lëshoi rreth 50 miliardë dollarë për bllokun e aleatëve, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik për t’i bërë ballë Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste.
