Açka u drejtohet deputetëve: Nëse votoni projektin e Butrintit, historia do t’ju përndjekë
Deputetja e PD, Flutura Açka, ka reaguar në lidhje me Butrintin i cili është dhënë me koncesion.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Açka ka thënë se nëse deputetët do e miratojnë këtë projekt që menaxhimi i Butrintit t’i jepet në menaxhim një fondacioni privat, do i përndjekë historia.
Ajo thotë se i dhemb fakti që parlamenti po nxiton në pak ditë ta bëjë fakt të kryer vrasjen e Butrintit,
Postimi i plotë:
Të nderuar shqiptarë kudo që të jeni!
Ju lutem, shihni me kujdes këto dy foto, aty është Dea jonë e Butrintit që e kanë kapur për fyti, siç duan ta kapin për fyti edhe vetë Butrintit ata që duan të mbyllin ciklin e projektit të zhbamjes sonë kombëtare të nisur kohë më parë. I kam marrë këto foto nga site i një kompani e private holandeze, e cila ka prodhuar me taksat e shqiptarëve një program televiziv për qytetarë holandezë që duan më shumë argëtim se kulturë. “Ëie is de mol?”, quhet, pra “Kush është mola?” dhe gushtin e shkuar këtyre molistëve iu hapën me bujari të madhe edhe dyert e qendrave tona më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, edhe arka e shtetit. Dhe a e dini për çfarë? Vetëm për 15 minuta përmendjeje të Shqipërisë në 10 puntata televizive.
Por lojërat tyre qesharake nuk i bënë vetëm me Dean e Butrintit, për të cilën jam e bindur se as e kanë idenë se çfarë ishte, as për Butrintin vetë, por edhe në fototekën Marubi, në Apolloni, në Pallatin Mbretëror. Pa provoje ta bësh këtë në Holande? As në ndonjë kështjellë periferike nuk të qas njeri, madje as në zgëqin e quajtur Muzeu Erotik i Amsterdamit të nxjerrin jashtë të tallesh kështu.
Një mikja ime që merret me promovimin e Shqipërisë provoi të botonte një guidë turistike të bazuar në gjurmët e këtyre molistëve. Shitjet ishin qesharake, sepse ata që ndjekin emisione të tilla nuk janë turistë kulturorë, ata duan çartera për hahet e pihet dhe nuk i hyn në sy peizazhi, siç nuk u hyri në sy Shqipëria. Jam e bindur se kjo formë e joshjes së turistëve është një dështim, e dëshmojnë agjencitë turistike. Jam e sigurtë që nuk po bëj gabimin e Umberto Ekos, i cili nga lumturia e shitjes së mijëra kopjeve të “Emrit të trëndafilit” u trondit nga prodeducenti kur mësoi se miliona shikues ishin një dështim.
Por kjo është e keqja më e vogël, mua më shqetëson shkujdesja me shenjat tona kombëtare, veçmas me Butrintin, aq i diskutuar ditët e fundit, ndaj nuk më habit fare kinse projekti për Menazhimin e Butrintit dhe as qasja e tij e hapur antishqiptare. Madje më shumë se ethja për xhvatje financiare që po projektohet me këtë plan dhe nevoja për uzurpimin e plotë të zonës që nisi pak javë me parë me heqjen e 800 ha nga zona e mbrojtur, më dhemb fakti që ky parlament po nxiton në pak ditë ta bëjë fakt të kryer vrasjen e Butrintit, dhe kjo nisi me kalimin djallëzor nga Komisioni përgjegjës parlamentar, ai i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit, në atë të Ekonomisë, pastaj duke gënjyer parlamentarët për të projektin sekret, pa folur për shkeljet e shumta dhe konfliktet e interesit që përmban dhe prodhon ky projekt. I pyeta sot kolegët e mi të Komisionit që drejtoj nëse e kishin lexuar Projektin e Menazhimit të Butrintit, plot 130 faqe, dhe nëse e kishin idenë se çfarë nënkuptonin zonat e nënzonat e Butrintit në atë. Asnjë përgjigje!
Por serish, ju thashe, shqetësimi im është njëri prej anëtarëve të bordit të këtij projekti menazhimi, njëfarë Richard Hobs, i cili ka shkruar të zezë mbi të bardhë keqardhjen e tij të madhe se si vendosja e kufirit më 1913 e la të mjerin Butrint brenda Shqipërisë, duke e fshirë qetësisht troje deri në urë të Artës. Një vend që respekton historinë e tij, libri plot deformime historike të këtij Hobs-it nuk do të shitej në librari dhe vetë ky farë burri do të shpallej i padëshiruar. Përkundrazi, duket se po i jepet Butrinti enkas për ta bërë dëmin, sepse dikujt i intereson kjo.
A do ta lejoni ju kolegë deputetë këtë? Do ta votoni këtë projekt?
Nëse e bëni, historia do t’ju përndjekë!
Tiranë, 9 maj 2022

