Oltjoni në gjykatë në karrige me rrota, shqiptarët që e qëlluan i kërkojnë të falur

Ka mbërritur në gjykatë në karrige me rrota Oltjon Kurti, 30 vjeçari i cili u godit prapa shpine teksa po tentontë t’i ikte plumbave gjatë shkëmbimit të zjarrit mes grupeve rivale shqiptare në Kieti, ngjarje e ndodhur më 19 prill 2021.

Në gjykatë më 9 maj, u bë seanca paraprake ku 4 të pandehurit do të gjykohen me gjykim të shkurtuar më 11 korrik.

Të pandehurit u arrestuan pak orë pas episodit kriminal (19 prill 2021) dhe akuzohen për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Mes të pandehurve është dhe Altin Pojana, 40 vjeç i cili akuzohet se ka qëlluar Kurtin në shpinë.

Të arrestuarit e tjerë janë Behar Gjoka dhe Florenc Kurti, 26 vjeç të dy rezidentë në Selva dhe Altino dhe Amarildo Ferko, 24 vjeç.

Gjatë seancës paraprake Pojana tha se arma i ishte shkrepur rastësisht ndërsa vraponte.

Ka pretenduar se në zonën industrial të Follanës kishte shkuar për të sqaruar konfliktin dhe se pistoletën e kishte gjetur aty, gjithashtu dhe dërrasën me të cilën ka goditur në kokë të plagosurin e dytë.

Florenc Kurti ka thënë se kishte shkuar për të sqaruar sherrin dhe nuk e mendonte se do të shkonte deri në atë pikë.

Pojana dhe Kurti i kanë kërkuar të falur Oltjonit që përfundoi në karrige me rrota.

Plumbi i ka goditur kolonën vertebral.  Në atë sherr u godit me dërrasë në kokë edhe Enea Shermadhi, 23 vjeç.

Avokati kërkon një dëmshpërblim prej 1.5 milionë euro, ndërkohë të pandehurit nuk do të lejohen të hyjnë në qytet për një periudhë prej 3 vitesh, shkruan media italiane, tgmax.it