Egjipt, arrestohen 13 adoleshentë për ngacmimin e turisteve femra në piramidat e Gizës
Prokurorët në Egjipt kanë urdhëruar ndalimin e 13 djemve adoleshentë të arrestuar nën dyshimin se kanë ngacmuar dy turiste të huaja në piramidat e Gizës.
Në një deklaratë të prokurorisë thuhej se një ankesë që akuzonte djemtë për ngacmim verbal dhe fizik ishte paraqitur nga një guidë turistike. Ata kishin realizuar dhe një video që tregonte momentin e ngacmimit të turisteve nga djemtë.
Në video djemtë shihen duke mbajtur celularë teksa grumbullohen rreth grave, të cilat tentojnë të largohen.
Vitet e fundit, dhjetëra gra të frymëzuara nga lëvizja #MeToo kanë folur në mediat sociale për përvojat e tyre të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale në Egjipt.
Parlamenti i Egjiptit miratoi dënime më të ashpra për ngacmimet seksuale vitin e kaluar, duke ndryshuar kodin penal për ta bërë atë një krim dhe duke e rritur dënimin në dy vite burg në vend të gjashtë muajve, së bashku me një gjobë prej 6,370 dollarë.
Megjithatë, autoritetet egjiptiane janë akuzuar se shpesh kanë dështuar në hetimin dhe ndjekjen penale të burrave të akuzuar për ngacmim seksual ose sulm ndaj grave dhe vajzave.
Sipas një studimi të OKB-së në vitin 2013, 99.3% e vajzave dhe grave në Egjipt raportuan se kishin përjetuar një formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre dhe se 82.6% nuk ndiheshin të sigurta në rrugë./BBC/