Një minutë heshtje për viktimat në qeli, Berisha ngre në këmbë opozitën, e injoron Balla me PS-në
Ish-kryeministri, Sali Berisha, dënoi në Kuvend vdekjet në qelitë e komisariateve dhe burgjeve, duke ftuar deputetët në një minutë heshtje.
Thirrjes ju përgjigjën deputetët e opozitës duke u ngritur në këmbë, ndësa e injoruan ata të mazhorancës me në krye kreun e grupit parlamenar të PS, Taulant Balla.
Sali Berisha: Mediat janë në një censurë të rreptë, liritë dhe të drejtat nëpërkëmben çdo ditë nga një regjim që ka zëvendësuar shtetin ligjor me narkoshtetin. Jam këtu për të dënuar vdekjet në qelitë e zeza të komisariateve dhe burgjeve në Shqipëri të cilat de facto janë shndërruar në birucat e dikurshme të sigurimit të shtetit.
Në një hark kohor 5 javor në Kamzë dhe Kavajë humbin jetën, vriten apo vetëvriten dy të rinj në qeli, në vendin ku sipas ligjit duhet të ishte vendi më i sigurt. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e këtij regjimi ndaj këtyre vrasjeve të mirëfillta shtetërore ju ftoj të nderojmë me një minutë heshtje të gjithë ata që vdiqën në qelitë e narkoshtetit shqiptar. I paharruar kujtimi i viktimave të shtetit në burgjet e tij.
