"Na shkoi energjia në drejtim të paditur…", ish-kryeprokurori Arben Rakipi: Pse nuk ngrihet BKH, e latë SPAK pa gjymtyrën kryesore

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi  ngriti një sërë problematikash me të cilat po përballet drejtësia e re.

Duke folur në konferencën për drejtësinë, ish-kryeprokurori Arben Rakipi  vuri theksin te mosngritja e Burosë Kombëtare të Hetimit, duke ju referuar si gjymtyra kryesore e SPAK.

Si një nga dizejnatorët e këtij organi, ai tha se ende e ka të paqartë se pse kjo strukturë nuk vihet në punë.

Nga ana tjetër ai vuri në dukje edhe ndikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga media dhe reagimi publik për vendime në çështje të ndryshme.

Rakipi: Ajo që konstatohet në veprimtarinë tonë të përditshme janë rezervat shumë të mëdha  që kemi të pashfrytëzuara për të qenë krenar se jemi të pavarur në qeverisjen e gjyqësorit. Vakancat e shumta në sistem dhe nevojat e plotësimit të tyre kanë përmbushur apo anashkaluar disa herë meritën e kandidatit. Vakancat, ndonjëherë edhe pa garë për tu plotësuar janë shfrytëzuar edhe për të lehtësuar ndikimin e jashtëm në qeverisje. Sfidat duhet të lidhen me  cilësinë e dhënies së drejtësisë, përfshirë prokurorinë. A jepet drejtësi më e mirë dhe sa është eleminuar korrupsioni në dhënien e saj? Gjykata dhe prokuroria ende kanë shumë punë për të përmbushur.

Hyrja në sistemin e drejtësisë e kolegëve tanë për shkak të meritës shihet se ende nuk po përbën shkak të mjaftueshëm që të jenë dhe të sillen si të varur vetëm nga ligji dhe përmbajtja e tij. Akoma është e nevojshme përfeksionimi i sistemit që vlerëson kandidatët për gjyqtarë e prokurorë me qëllimin për të mos lënë të penetrojnë në elementë të papërshtatshëm. Detyrimi vlen dhe për kriteret e karrierës së tyre. Nevoja e plotësimit të vakancave nuk duhet të na shtyjë në përzgjedhjen e kandidatëve, gjyqtarë e prokurorë të papërshtatshëm. Paralel me këtë sistemi i kontrollit për punën dhe cilësinë e gjyqësorit duhet forcuar.

Sfidë tjetër është ti përgjigjemi pyetjes: A jemi të kordinuar si trupë e vetme qeveritare për të qeverisur gjyqësorin? Ajo përfshin dhe organet e vettingut, ritmi dhe puna e tyre. Shumë prej emergjencave të krijuara në sistem janë thjesht dhe shkak i moskordinimit të punës mes nesh. Jemi institucione të shtetit shqiptar dhe mbajmë përgjegjësi për çfarë prodhojmë. Njerëzit e këtij vendi nuk kanë pse vuajnë paaftësinë tonë për të kryer detyrat dhe me të drejtë mund dhe duhet të na kërkojnë ndryshimin e profesioneve tona nëse vazhdojmë të jemi të paaftë për ti përmbushur ato si e sa duhet.

Nga kjo thirrje nuk përjashtohet askush nga ne. Sfida tjetër është pse ende nuk janë ngritur apo riorganizuar terësisht institucionet e sistemit tonë, Byroja Kombëtare e Hetimit psh. Nga 2016 e këtej ka pasur zvarritje edhe të qëllimshme në formimin apo riorganizimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese por edhe ajo e Lartë vuajtën humorin e keq politik për tu formësuar. Sot harta e re gjyqësore e ka ende anonim shkakun për publikun pse nuk miratohet. Mesa di unë do të miratohet një ditë. Por ajo që nuk kuptoj është mosngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky institucion u mirëprit nga publiku që kur u përmend se në të ardhmen do të kishim një të tillë. Është pjesë përbërëse e SPAK dhe la këtë të fundit pa gjymtyrën kryesore për të përmbushur regullisht detyrën. Rektori i Universitetit dhe unë kemi harxhuar netë të tëra për të dizenjuar këtë organ dhe na duket sikur e çuam energjinë në drejtim të paditur.

Sfida tjetër është pse po lejojmë që media, portalet apo populizmi të ndikojnë vendimet tona? Po shihet kohët e fundit se po ndikohemi shumë nga çfarë shkruhet rreth çështjeve apo njerëzve të drejtësisë. Kohë e vëmendje po i kushtohet më tepër sesa e meritojnë portaleve dhe çfarë shkruajnë në to. Nuk besoj se ato janë lartësuar aq shumë në profesion sa të na japin zgjidhjet e gatshme. Nuk duhet të jemi viktimë e shantazheve apo adoptimit të praktikave jo të panjohura ku jepet njëherë vendimi e më pas zhvillohen gjykimet apo kur përdorim plagjiaturën nëpërmjet përthithjes së gjyqeve që zhvillohen në media me atë çfarë vendosim ne në themel të vendimeve gjyqësore.

Duam që në Shqipëri të sundojë ligji. Sfida tjetër është përgjigjia e pyetjes, a po i trajtojmë shqiptarët të barabartë?  Dua të shpreh frikën e publikut se në këtë vend është krijuar një kastë e paprekshme që përpos kësaj dhe bëmave që bëjnë përditë ndikojnë në mënyrën si zgjidhen rastet në sistemin tonë. Ne kemi dhënë kontribut në formimin e këtij realiteti ndaj mjaft më me këtë zakon të keq, njerëzit duhet të jenë të barabartë para ligjit.