“Më ka sosur durimi” Rama SPAK-ut: Berisha turp mbi ju, kapni cironka me dinamit, por jo peshkaqenin

Kryesocialisti, Edi Rama, nuk e fsheh në asnjë dalje publike dëshirën për ta larguar nga skena politike kundërshtarin e tij Sali Berisha.

Pas rezultatit të 6 marsit, Kryeministri e ka shtuar sulmin ndaj paraardhësit së tij, por vijat e kuqe të vendosur nga ai nuk kanë patur efektin politik që synonte.

Rama: E përjashtoj kategorikisht si të klasifikueshëm brenda kornizës së opozitës non gratën e madhe dhe shpurën e tij. Jo për Presidentin, por as për një hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës.

Për këtë arsye, që të mos e ketë përballë, edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore, Edi Rama kërkoi për të disatën herë ndihmën e SPAK.

Rama: Zonja dhe zotërinj të SPAK-ut zgjohuni! Nëse Shqipëria sot është e turpëruar përpara një non grate që i bën karshillëk këtij populli dhe tërë dynjasë, këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK-u, askush tjetër. Po delegjitimohet SPAK-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë. Kush e ka lexuar mandatën e SHBA-ve e ka të qartë që i takon drejtësisë në Shqipëri të veprojë mbi atë përfundim të DASH.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ama, Ramës nuk i shpëton as një tjetër kundërshtar, i cili mund t'ja vështirësojë tërrenin për lokalet e 2023, Presidenti Ilir Meta.

Rama: Jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut Ilir Metën.

Këto janë dy porositë që kryeministri i la Prokurorisë së Posaçme, në rast të kundërt e paralajmëroi atë me durimin e socialistëve, si forcë në pushtet.

Rama: Realisht po hyni në kohën shtesë, durimi ynë po soset, i imi po njëherë. Duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi në vend.

Rama nuk e përtyp dot që rrjeta e SPAK-ut ka zënë vetëm “peshqit” e selisë rozë, edhe pse para socialistëve e  pranoi që janë peshkuar funksionarë jo me peshë të madhe politike.

Rama: Nuk kemi bërë as gëk as mëk sa herë është dashur të merret cilido prej nesh para drejtësisë. Ne jemi vetëpërmbajtur përballë kësaj tallje të madhe, sepse kjo është një tallje shumë e madhe. Meqë këtu partnerët tanë na futën peshkun si simbol, duke folur për peshq që do të kapet dhe do të futen në tavë, është tallje që SPAK-u deri më tani përdor vetëm një lloj grepi dhe vetëm një lloj peshku, madje gjuan edhe cironka me dinamit.

Ama nuk kap peshk të mëdhenj peshkaqenë që i bëjnë leksione SHBA-ve dhe Shqipëria, që nxjerrin lum nga goja. Durimi ynë po soset, i imi po njëherë. SPAK-u dhe të gjitha ata që janë të interesuar për drejtësi në këtë vend, duhet të kujtohen se ne nuk e kemi humbur gojë dhe fakti që nuk kemi folur, por kemi mbështetur çdo veprim. Thirrja ime në emër të kësaj partia, që nuk është thirrje politike, por e forcës që garanton reformën në drejtësi deri në fund. 

Surprizë nuk ishte orientimi i Kryeministrit për punën e drejtësisë, por sjellja në vëmendje të një aktori që ka polemizuar jo pak skenën politike dhe atë të drejtësisë.

Rama: Ardian Dvoranin, kampioni i anti-korrupsionit është futur në hetim nga SPAK-u i kordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë që për pak ditë do të largohet nga zyra e Presidentit të Republikës.

Përveçse kandidat për Gjykatën Kushtetuese, për PS Ardian Dvorani është figurë e pranueshme edhe për të drejtuar zyrën e Kreut të Shtetit.  Dhe për këtë proces siç e cilëson kryesocialisti Rama, më i rëndësishmi është emri.

Rama: Nuk jemi në kërkim të konsensusit, jemi në kërkim të një Presidenti. Nëse ata do të sjellin një propozim bindës ne menjëherë do ta pranojmë.

Paralel me zgjedhjen e Kreut të Shtetit, socialistit do të përcaktojnë edhe drejtuesit e rinj të PS në degë, si një hap i parë i përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Dhe për këto të fundit, kryebashkiakët rebelë e morën mesazhin e qartë nga shefi i tyre.

Rama: Që i kanë kthyer kurrizin elektoratit,PS-së, ligjit deri në pika të cilat janë për organe të tjera. Me çfarë syri dhe faqeje do të vijnë te ne që të kërkojnë të jenë përsëri kandidatë?