Vetingu, Prokurori Ndoja flet për atentatin, vëzhguesi ndërkombëtar: Pse paguani shofer dhe lëvizni me të kërkuar?
Në një seancë prej 6 orësh, prokurori i Durrësit Arjan Ndoja u përball me vetingun ku foli për atentatin ku mbeti i plagosur, të cilin e cilësoi të lidhur me sulmet e qeverisë. Raporti i DSIK-së ka evidentuar kontakte të prokurorit me persona me precedent penalë, ndërsa vëzhguesi ndërkombëtar e cilësoi të papranueshëm faktin që Ndoja ka mbajtur lidhje me individë të tillë. KPK theksoi se prokurori ka mbajtur dosjet e punës në makinë, duke cënuar rëndë figurën e zyrtarit të drejtësisë.
Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, i cili u plagos gjatë një atentati në nëntor 2019 ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku, doli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në kuadër të vetingut, ai u hetua për të tri kriteret. Relatorja Firdes Shuli, tha se DSIK ka konstatuar papërshtatshmëri të figurës për prokurorin pasi Arjan Ndoja dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij.
Në vitet 2009 dhe 2010 ai ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt pronash.
Vetë Ndoja foli lidhur me atentatin, duke thënë se ngjarja ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë në punën e tij.
Në lidhje me dosjet hetimore që u gjetën në makinë, çka u cilësua si shkelje nga KPK, Ndoja tha se kjo është një akuzë e rëndë duke theksuar se në prokurorinë e Durrësit nuk janë vjedhur dosje por vetëm është prishur sistemi elektronik.
Megjithatë prokurori tha se materialet që i janë gjetur në makinë nuk ishin të tijat por të një avokati.
Ndoja u targetua në fillim të tetorit të 2019 nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.
Në lidhje me këtë fakt vetë Ndoja u shpreh para trupës së KPK-së se koha tregoi se ka patur të drejtë, pasi është vetë drejtori i Kadastrës, Artan Lame, që pak ditë më parë ka evidentuar shkeljet në ketë Kadastër duke vendosur shkrirjen e saj.
Vëzhguesi i ONM-së Theo Jacobs, e quajti të dyshimtë figurën e Ndojës, pasi e cilësoi të habitshëm faktin se ai kishte deklaruar nga 2005 deri në 2007 një fitim prej 250 mijë euro në vit. As në Belgjikë, tha Jacobs, avokatët më të mirë nuk fitojnë kaq.
"Ju shkoni e dilni xhironi me persona të gabuar. Përse ju duhet një shofer privat që e paguani nga xhepi? Shqiptarët dinë shumë për personat që ju shoqëroheni por ata s’janë hetuar kurrë! Kur futeni në sistemin e drejtësisë, ju mendoni se keni më shumë të drejta se qytetarët. Por e vërteta është ndryshe. Ju duhet të keni më pak. Ju duhet të qëndroni larg njerëzve që kanë konflikte me ligjin. Ju jeni inteligjent dhe i zgjuar, do të duhet të ishit një aset i këtij vendi. Të qenit prokuror e di që është e vështirë por s’është punë të jeni në xhiro e me kontakte. E vetmja punë dhe ju se keni respektuar. E për këtë s’do të doja kurrë t’ju kisha në skuadër".
Vendimi ndaj Arjan Ndojës do të shpallet në datën 6 maj, ndërsa vetë prokurori tha se i ka dhënë përgjigje të gjitha aludimeve.
