Softa: Të bëhet një listë e personave rusë që duhet t’u ndalohet hyrja në Shqipëri

Eksperti i sigurisë, Fation Softa mbështet deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, i cili nuk pranoi kërkesën e presidentit ukrainas për të mos lejuar turistët rusë në Shqipëri.

Softa u shpreh se vendi ynë vepron mbi bazën e një harmonie me vendet e BE, duke shtuar se Shqipëria duhet të kontrollojë personat që vijnë nga jashtë.

Fation Softa: Shqipëria vepron mbi bazën e një harmonie me vendet e BE. Për aq kohë sa nuk është bërë ky ndalim nga ato vende nuk ka pse të bëhet ky ndalim as nga Shqipëria. Shqipëria ka edhe anën tjetër që i duhet patjetër të kontrollojë. Nëse shërbimet nuk janë prezente në territorin shqiptar do vijnë patjetër nëpërmjet depërtimit që vijnë me anë të turizmit. Shqipëria ka struktura jo vetëm si anëtare e NATO-së por edhe struktura të shërbimeve të brendshme e të jashtme që veprojnë në territor për sigurinë kombëtare. Patjetër që duhet të bëhet një filtër.

Më tej Softa u shpreh: Duhet të bëhet një listë për personat që vijnë nga Rusia që duhet t’u ndalohet hyrja në vendin tonë.

Refuzimin për propozimin e bërë prej Zelenskyt në sallën e parlamentit shqiptar, Rama e argumentime mungesën e një strategjie prej BE-së.

“Vendimet tona janë të linjëzuara me BE-në dhe përsa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar të BE-së, atëherë do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë si vendet e shkuara. Nëse do të ketë vendim nga BE-ja atëherë edhe ne do të linjëzohemi. Do të japim ndihmë monetare për Ukrainën.”tha Rama ditën e djeshme 4 maj.