SPAK kërkon dënimin e ish-prokurorit të Sarandës. Sali Hasa rrezikon 3.6 vite burg

Ish-prokurori i Sarandës, Sali Hasa, rrezikon të dënohet me 3 vite e 6 muaj burg për korrupsion. Kërkesa është bërë nga prokurori i çështjes Altin Dumani, i cili paraqiti konkluzionet përfundimare në fazën përmbyllëse të procesit në Gjykatën e Posaçme.

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatë pretencën për ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i akuzuar për korrupsion.

Në përfundim të procesit, prokurori i çështjes Altin Dumani kërkoi shpalljen fajtor të Hasës për akuzën e korrupsionit dhe dëniminn e tij me 3 vite e 6 muaj burg.

Deklarimi fajtor dhe dënimi u kërkuan edhe për të akuzuarit e tjere të përfshirë në ngjarje. Për Emiljano Mirani u këruan 2 vite e 6 muaj burg; për Elsona Papën 1 vit burg për Napolon Hodaj 2 vite burg; për Julian Zera 1 vit e 3 muaj burg; për Markelian Alinani 3 vite e 6 muaj burg; për Qerim Ruçi 2 vite e 6 muaj burg dhe Bledar Hajredini 2 vite burg.

Ish-prokurori u arrestua disa muaj më parë me urdhër të SPAK. Hasa ra në pranga pas hetimeve të nisura gushtin e kaluar për një grup trafikantësh të lëndëve narkotike. Referuar hetimeve ka rezultuar se Hasa ka pushuar akuzën e plagosjes për Emiljano Miranin, pasi ka marrë një shumë parash nga motra e tij, Elsona Papa.

Hasa është një nga 5 prokurorët dhe gjyqtarët që u arrestuan nje vit me parë nga prokuroria e posaçme per akuzën e korrupsionit. Arrestimet në radhët e drejtësisë nisën me gjyqtaren e Krujës Enkeleda Hoxha dhe vijuan me prokurorët Sali Hasa, Edmond Kariqi, Mimoza Margjeka dhe Maksim Sota.