Të harruarit e Safet Gjicit, banorët e “lagjes së re” në Kukës protestë për rrugën

Banorët e një lagjeje në Kukës kanë protestuar për mungesën e investimeve të Bashkisë. Ata thonë se rruga ku kalojnë çdo ditë, është në gjendje të mjerueshme, ndërsa shqetësimit të tyre i është përgjigjur kryebashkiaku Safet Gjici, duke thënë se është në dijeni të situatës.

Kjo zonë në Kukës mban emrin “Lagjja e re”, por gropat e mbushura me ujë dhe mungesa e investimeve nga Bashkia, e dëshmojnë se lagjja jo vetëm që nuk është e re, por kushtet aty janë si në një periferi të thellë.

Banorët e zonës, dolën në protestë të enjten, duke thënë se situata është bërë e papërballueshme.

"Kabul."

"Kemi dalë vetëm të bëhet rruga, vijnë e shtrojnë një makinë zhavorr dhe ikin. Rruga katastrofë prej 20 vitesh."

"Fëmijët dalin në mëngjes për shkollë dhe bëhen gjithë baltë. I nisim me atlete të bardha dhe shkojnë te shkolla zi."

Thonë se kanë kërkuar disa herë investime nga Bashkia, por veprimet nuk kanë qenë kurrë konkrete.

"Shihet vetë rruga. Jo me shtru çakull sa herë ka fushatë."

Pas protestës së banorëve atje, reagoi edhe kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, i cili tha se është i njohur me problematikën, ndërsa shtoi se shumë rrugë në Kukës e në fshatra janë të pashtruara.

"Si rrugët aty janë shumë rrugë jo vetëm në qytet por edhe në njësi administrative. Ka një plan që do të bëhen me radhë gjërat."

Rruga në lagjen e re ka një gjatësi prej afro 1 kilometër, ndërsa lëvizjet e mëdha demografike kanë larguar shumicën e banorëve.