Andoni: Struktura e BE po përballet me probleme, Gjermania mendon për qasjet e reja gjeostrategjike në Ballkan

Ditën e sotme kancalari gjerman Olaf Scholz, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërkohë që pritet të takojë edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç,  ku në fokus të takimit është dialogu Prishtinë-Beograd.

Analisti Ben Andoni, në një intervistë për RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja,  ka komentuar rolin e Gjermanisë në ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve duke thënë se Scholz kërkon të marrë pjesën e munguar të Angela Merkel.

Sipas tij Gjermania do t’i paraprijë zhvillimeve të reja që ndodhin në Ballkan.

Ben Andoni: E kam parë si jë lloj inercie nga Scholz për të marrë atë pjesën e munguar të Merkel. Gjermania do apo nuk duam ne është jo thejsht iniciatore e procesit të Berlinit, por është edhe vendi I cili do t’I paraprijë zhvillimeve të reja, bashkë me Francën. Por Franca është e luhatur.

Ndër të tjera ai thotë se ndryshe nga Kosova, Serbia i ka paraprirë marrëdhënies me Gjermaninë.

Ben Andoni: Ka një problem të madh, në programin e Kurtit, dialogu është në pikën e 6 të prioriteteve të tij, ndërsa Vuçiç nga ana tjetër me një pozicion gjithnjë e më të mirë në vendin e tij, pak i hallakatur nëpërmjet qëndrimeve të Bashkimit Evropian, gjithmonë i ka paraprirë marrëdhënies me Gjermaninë.

Andoni theksoi se Gjermania po mendon për qasjet e reja gjeostrategjike në Ballkan.

Ben Andoni: Gjermania përveçse po ndryshon strukturën e vet të investimeve për pjesën e mbrojtjes, ka filluar të mendoj dhe për qasjet e reja gjeostrategjike në Ballkan.

Andoni është ndalur edhe te ndarja fetare, duke thënë se në rajon ekziston një ndarje e tillë ndërsa shton se  struktura e Bashkimit Europian po përballet me probleme.

Ben Andoni: Ajo që shikohet është se vet struktura e Bashkimit Europian, po përballet me probleme. Ekziston një paragjykim i jashtëzakonshëm që liderët tanë e fshehin. Ndaj Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës ka një paragjykim, përveçse Kosova është një “Hirushe” në Ballkan.

I mëshoj shumë pjesës së ndarjes fetare, duam apo nuk duam ne ajo është. Kemi paqartësi për të ardhmen e BE, që po sjellë këtë lloj gjendje. Por me çfarë shikoj vendet që janë të prekura nga ky realitet është Italia, Greqia.

Teksa ka folur për çështjet që shqetësojnë Ballkanin ai ka folur dhe për Shqipërinë.

I pyetur se cili është problemi që disa vende nuk i njohin shqiptarët, Andoni tha: Kam përshtypjen se na njohin, por na njohin në drejtimin e gabuar. Ne duhet të kapim ritme të tjera, duhet të ecim me synimet e shekullit 21.

Ka ardhur koha që ballkanasit të mendojnë për qytetarët e tyre larg sloganeve. Sloganet kanë ngel në histori, ndërsa njerëzit duan të jetojnë.