Mercenarët rusë në luftën e Ukrainës, dalin pamjet e para të grupit Wagner që ndërhyjnë në Donbas

Kanë dalë pamjet e para të mercenarëve rusë të grupit Wagner të përfshirë në luftën në terren në Ukrainë. Sipas britanikëve ata janë angazhuar në Lindje të Ukrainës dhe janë një grup i rrezikshëm dhe i rëndësishëm që përdoret nga Kremlini. Ndërkohë, rusët kanë kërcënuar drejtëpërdrejt NATO-n se do të bombardojnë arsenalin e tyre që shkon në ndihmë të ushtrisë ukrainase.

Inteligjenca perëndimore ka publikuar pamje të cilat tregojnë se në luftën në terren, në Ukrainë, janë përfshirë edhe grupi Wagner.

Pamjet me dron nga qyteti Popansa, në lindje të Ukrainës, tregojnë një skuadër rusësh të përfshirë në luftime intensive shtëpi më shtëpi. Ushtarët dyshohet se janë mercenarë nga grupi Wagner.

Sipas shërbimeve inteligjente perëndimore këta janë një grup ushtarak privat por me lidhje në hije me Kremlinin, i cili mendohet të jetë përgjegjës për mizori të shumta në konfliktet që variojnë nga Amerika e Jugut në Lindjen e Mesme.

Rusët e kanë intensifikuar fushatën e tyre ushtarake në Lindje të Ukrainës, ku sipas amerikanëve kërkojnë të ndërtojnë një të ashtuquajtur Rusia e jugut, ku mund të përfshihen tre republika të vetëshpalluara.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka reaguar duke thënë se komandantët rusë janë të vendosur për të kapur qytetet Severodonetsk dhe Kramatorsk, sepse kjo lëvizje ushtarake do të konsolidonte kontrollin ushtarak rus në Donbasin verilindor dhe do të siguronte një pikë strategjike për të përçarë forcat ukrainase në këtë rajon.

Luftimet tani vazhdojnë përgjatë një shtrirjeje qindra kilometër të vijës së frontit, që nga Kharkiv në veri deri në Mariupol në jug dhe përgjatë brigjeve të Azov dhe Detit të Zi deri në Kherson dhe Mykolaiv.

Ndërkohë, një kërcënim i fortë dhe i drejtëpërdrejtë ka ardhur nga autoritetet ruse për ndihmat e NATO-s ndaj ushtrisë ukrainase. Ushtria ruse, sipas ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, do ta konsiderojë autokolonën e NATO-s që transporton armë në Ukrainë si objektiv që do të bombardohet.

“Çdo transport i Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Ukrainës, me armë ose materiale të tjera për forcat e armatosura ukrainase, do të konsiderohet nga ne si një objektiv legjitim për shkatërrim,” tha ai, sipas medieve ruse.

Ky kërcënim vjen pas replikave të forta të shkëmbyera nga zyrtarët më të lartë amerikanë dhe rusë sa i përket luftës në Ukrainë.