Zgjidhet drama në fabrikën famëkeqe
Presidenti ukrainas Zelenski njofton se mbi 150 civilë janë evakuuar nga fabrika famëkeqe e Azovstalit nga qyteti i Mariupolit.
Në adresimin e tij të mesnatës, kreu i shtetit thekson se operacioni për të evakuuar civilët e mbetur do të vijojë, duke akuzuar forcat ruse për sulme.
"Sot 156 persona arritën në Zaporizhia. Gra dhe fëmijë. Ata kanë qenë në bunker për më shumë se dy muaj. Pa dyshim, ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të nxjerrë të gjithë njerëzit tanë nga Mariupol, nga Azovstal. Është e vështirë, por ne kemi nevojë për të gjithë, për të gjithë ata që janë ende atje, civilë dhe ushtarë. Aktualisht, trupat ruse nuk i përmbahen marrëveshjeve, ata vazhdojnë sulmet masive në Azovstal. Ata po përpiqen të sulmojnë kompleksin", tha Zelenski.
Me ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, civilët e evakuuar nga Mariupoli po marrin ndihmë mjekësore në qytetin e Zaporizhias.
Të paktën edhe 200 persona të tjerë janë ende të ngujuar në fabrikën e çelikut në Mariupol, sipas autoriteteve lokale.
Zelenski ka ngritur shqetësimin edhe për sulmet që po ndodhin nga perëndimi në lindje.
"Qytetet e ndryshme ukrainase janë bërë sërish objektiva për raketat ruse dhe sulmet ruse; Lviv, Vinicia, rajoni i Kievit, rajoni i Dnipropetrovskit, rajoni i Karkivit. Ata po përpiqen të largojnë pikat e tyre të dobëta, sepse e dinë që nuk na mposhtin dot. Ajo që iu mbetet është t’i vënë zjarrin një parku fëmijësh, të hedhin në erë një urë, një depo drithërash, apo ndonjë shtëpi", tha presidenti.
Të mërkurën u raportua se më shumë se gjysma e qytetit historik të Lviv ka mbetur pa energji elektrike.
Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të së mërkurës janë regjistruar 3 shpërthime raketore, të cilat synonin të godisnin pikat hekurudhore për të ndërprerë furnizimin e lindjes së vendit me armatime nga zonat perëndimore.