Alarm për sulme në të gjithë Ukrainën, Biden: Nëse nuk kundërshtojmë, diktatorët do vazhdojnë të vijnë
"Nëse ne nuk i kundërshtojmë diktatorët ... ata do të vazhdojnë të vijnë."
Kështu deklaroi Joe Biden në Alabama nga fabrika e raketave antitank Javelin që furnizon
Kievin për t'u mbrojtur kundër pushtimit rus.
Presidenti amerikan shpjegoi se "mbi 5500" raketa janë dërguar në Ukrainë, pastaj përsëriti se "forcat ruse kanë kryer shumë krime lufte dhe Shtetet e Bashkuara po udhëheqin mbështetjen për ukrainasit për të mbrojtur vendin e tyre".
Alarmet e sulmeve ajrore ranë mbrëmjen e sotme pothuajse në të gjithë Ukrainën. Përveç Lviv dhe Kievit, shpërthime u dëgjuan edhe në Dnipro dhe Vinnytsia.
Kundërajrorët ukrainas rrëzuan një raketë ruse pranë Kievit. Kjo u bë e ditur nga këshilltari i ministrit të brendshëm Anton Gerashchenko. Disa dëshmitarë në kryeqytet raportojnë se kanë dëgjuar një shpërthim.
Guvernatori i rajonit të Donetskut, Pavlo Kyrylenko, foli për 21 civilë të vrarë dhe 27 të plagosur nga sulmet ruse gjatë ditës së sotme në Ukrainën lindore.
“Të paktën 10 të vdekur dhe 15 të plagosur, pasojat e bombardimeve të pushtuesve rusë në Avdiivka”, tha guvernatori.
"Pesë persona të tjerë u vranë në bombardimin në Lyman, katër në Vugledar, një në fshatin Velyka Novosilka dhe një tjetër në Shandrygolove", shtoi ai.
