SHBA gati t’i japë fund abortit
Qindra aktivistë të pro-zgjedhjes dhe anti-abort u grumbulluan përballë Gjykatës Supreme në SHBA pas një rrjedhjeje të një draft-opinioni që sinjalizon ndalimin e së drejtës për të abortuar.
Bazuar në një raport të siguruar nga agjencitë amerikane të lajmeve, Gjykata Supreme është gati të rrëzojë vendimin e 1973-shit i cili lejoi të drejtën e abortit në Shtetet e Bashkuara.
KLIKONI KËTU PËR LAJMET MINUTË PAS MINUTE
Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Samuel Alito i cili konsiderohet edhe si më konservatori në institucionin më të lartë të drejtësisë amerikane, ka thënë në dokument se vendimi i 1973-shit është i gabuar.
Gjyqtarët e Supremes pritet të bëjnë të ditur vendimin për shfuqizimin e abortit në fillim të muajit korrik.
Ndërsa nga Shtëpia e Bardhë nuk ka ende asnjë koment, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer të dy nga Partia Demokratike, kanë kritikuar draft-opinionin që ka rrjedhur nga Supremja.
Përmes një deklarate, ata kanë thënë se nëse raportimi është i saktë, Gjykata Supreme do të shkaktonte kufizimin më të madh të të drejtave të njeriut në 50 vitet e fundit.
Vendimi i vitit 1973 u ka mundësuar grave në SHBA që të kenë të drejtë absolute për abort në tre muajtë e parë të shtatzënisë dhe të drejta të kufizuara në tremujorin e dytë.
Vajzat rreth 20 vjeçe besohet se kryejnë më së shumti aborte në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2019, 57% e aborteve janë kryer nga kjo grupmoshë. Vajzat dhe gratë amerikane me ngjyrë kryejnë më së shumti aborte, rreth 27 në 1 000 gra, kryesisht të moshave 15-44 vjeç.