"Hitleri ishte pak hebre" Deklarata Lavrov acaron marrëdhëniet me Izraelin

"Hitleri ishte pak hebre" Deklarata Lavrov acaron
Marrëdhëniet mes Moskës dhe TelAvivit janë acaruar këtë fillim jave pas një deklarate të kryediplomatit rus Lavrov. Për të treguar se mund të jesh nazist dhe hebre në të njëjtën kohë, ai tha se Hitleri gjithashtu kishte gjak hebre, duke tentuar të hedhë poshtë tezën se Zelenski është hebre ndaj s’mund të ketë nazistë në Ukrainë. Kjo deklaratë ka sjellë reagim të fortë nga Izraeli.

Një deklaratë e kryediplomatit rus Sergei Lavrov se diktatori Adolf Hitler kishte edhe gjak hebre, ka acaruar marrëdhëniet me Moskës dhe Tel Avivit.

Sergei Lavrovi i bëri komentet si përpjekje për të justifikuar portretizimin e Ukrainës nga Rusia si "naziste", ndaj edhe ky është një nga pretektstet e sulmit pushtues. Kryediplomati i bëri komentet gjatë intervistës për programin televiziv italian “Zona Bianca”.

I pyetur se si Rusia mund të pretendojë se po lufton për të "de-nazifizuar" Ukrainën kur Presidenti Volodymyr Zelensky është vetë hebre, Lavrovi tha: "Mund të gaboj, por Hitleri kishte gjithashtu gjak hebre. Që Zelensky është hebre nuk do të thotë absolutisht asgjë. Hebrenjtë e mençur thonë se antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht hebrenj".

Deklarata e ministrit u prit me zemërim në të gjithë spektrin politik të Izraelit. Ministria e Jashtme e Izraelit thirri ambasadorin rus për "sqarim" të çështjes. Ndërkohë, kryeministri izraelit Naftali Bennett tha se gënjeshtra të tilla kanë për qëllim të fajësojnë vetë hebrenjtë për krimet më të tmerrshme në histori dhe kështu të çlirojnë shtypësit e hebrenjve nga përgjegjësia e tyre.

Ai përsëriti se asnjë luftë sot nuk është Holokaust apo si Holokausti. Edhe ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid reagoi me zemërim, duke i quajtur fjalët e homologut Lavrov "të pafalshme".

Vetë qeveria izraelite është përballur me kritika nga opozita për qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë. Izraeli, i cili ka marrdhënie të ngushta me Ukrainën dhe Rusinë, ka qenë në krye të përpjekjeve të ndërmjetësimit ndërkombëtar për të ndalur luftimet.

Për dekada të tëra, nga konspiracionistët ka pasur pretendime të paprovuara se gjyshi i Hitlerit nga babai ishte hebre. Këto pretendime janë nxitur nga një pohim i avokatit të Hitlerit, Hans Frank. Këto deklarata vijnë disa ditë pasi Izraeli shënoi Ditën e Përkujtimit të Holokaustit ku Gjermania naziste vrau gjashtë milionë hebrenj në Holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore.