Përqafim pas dy vitesh pandemi, Zelanda e Re hap kufijtë për turistët e huaj që hyjnë në vend

E hëna u ka mundësuar mijëra njerëzve që të bashkohen me të afërmit e tyre me të cilët nuk takoheshin që prej fillimit të pandemisë për shkak të masave anti-Covid. Zelanda e Re do të lejojë nga 2 maji turistët e huaj që të hyjnë në vend.

Zelanda e Re ka rihapur kufijtë e saj për vizitorët ndërkombëtarë pas një bllokimi prej më shumë se dy vitesh për shkak të masave anti-Covid.

Udhëtarët të cilët mbërritën në aeroportin e Aucklandit të hënën iu bashkuan familjarëve dhe miqve të tyre me emocione.

Njerëzit nga më shumë se 60 vende tani janë në gjendje të hyjnë në vend nëse janë të vaksinuar dhe testohen negativisht për Covid-19.

Qytetarët kanë qenë në gjendje të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit që nga marsi, ndërsa australianët janë lejuar që nga prilli.

Zelanda e Re vulosi kufijtë e saj në mars të vitit 2020 dhe kërkoi javë të tëra karantine për qytetarët e saj që hynin në vend.

Vendimi i fundit i Uellingtonit ka bashkuar qindra njerëz me njëri tjetrin të cilët nuk ishin takuar me njëri-tjetrin prej më shumë se dy vitesh.

"Jam duke pritur të dashurën time Ana nga Teksasi. U bënë mbi dy vjet, ne chatonin në internet dhe ajo do të vinte këtu në maj të 2020, kufiri u mbyll kështu që mu desh të prisja që prej atëherë".

"Kanë kaluar dy vjet në pezullim dhe thjesht po pyes veten nëse dhe kur dhe nuk e di nëse do të vinte momenti. Filluam pa e ditur nëse do ta shihnim ndonjëherë njëri-tjetrin".

"Ka tre vite që nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Ne u takuam në Japoni dhe ne jemi kthyer tashmë në Zelandën e Re kur vendosëm ta bënim në mënyrë romantike. Mund ta kishim planifikuar më mirë".

Ekonomia e Zelandës së Re është shumë e varur nga turizmi e konkretisht nga vizitorët ndërkombëtarë, për të cilët operatorët kanë thënë se mezi presin rifillimin e aktivitetit.