Alabama, zhduken së bashku i burgosuri i akuzuar për vrasje dhe gardiania e burgut

Një i burgosur nën akuzën për vrasje, po kërkohet nga policia e SHBA pasi është zhdukur bashkë me rojen e burgut.

I burgosuri Casey White dhe oficerja Vicki White u panë për herë të fundit mëngjesin e të premtes në zyrën e Sherifit të Qarkut Lauderdale në Alabama.

Oficerja White kishte thënë se po e çonte Casey për një kontroll të shëndetit mendor, por zyrtarët më vonë kuptuan se një gjë e tillë nuk ishte planifikuar.

Autoritetet po hetojnë nëse oficerja White e ka ndihmuar të burgosurin të arratiset apo nëse ajo është marrë peng prej tij.

Oficerja e kishte çuar të burgosurin për ndihmë mjekësore në orën 9:30 me justifikimin se ai nuk ndihej mirë.

Pak pas orës 11:00 dikush e gjeti automjetin e saj në parkingun e një qendre tregtare.

Rreth orës 15:30 zyrtarët kuptuan se i burgosuri nuk ishte kthyer në paraburgim dhe askush nuk mund të kontaktonte me oficeren.

Pavarësisht mbiemrit që e kanë të njëjtë, ata nuk janë të afërm me njëri-tjetrin. Autoritetet thanë se Casey White duhet shpallur si një person shumë i rrezikshëm dhe i armatosur, duke qenë se ai mund të ketë marrë armën e oficeres.

Shërbimi i Marshallëve në SHBA ka ofruar një shpërblim deri në 10,000 dollarë për informacionin që çon në gjetjen e Casey White dhe Vicki White.