Ministrja franceze: Ne do të vazhdojmë të paguajmë në euro ose dollarë për gazin rus

“Ne do të vazhdojmë të paguajmë në euro ose dollarë, siç parashikohet në kontratë. Nuk mund ta pranojmë këtë manovër që cenon kontratat ekzistuese". 

Kështu ju përgjigj ministrja franceze e Mjedisit, Barbara Pompili, kërkesave të Moskës për pagesën e gazit natyror.

Deklarata e saj erdhi para mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Energjisë të BE-së, që mbahet sot në Bruksel.

“Pas vendimit të njëanshëm dhe brutal të Rusisë për të ndërprerë furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, kam vendosur të mbledh këtë Këshill të jashtëzakonshëm të Ministrave të Energjisë së BE-së, para së gjithash për të garantuar solidaritetin tonë me këto dy vende dhe për të “dënuar këtë akt që shkel traktatet dhe është e papranueshme”, tha ministrja franceze dhe presidentja në detyrë e Këshillit. 

Ajo shpjegoi se Këshilli aktual do të fokusohet tërësisht në çështjen e furnizimit me gaz dhe në veçanti në zbatimin e politikave të përbashkëta për uljen e varësisë nga gazi rus, por edhe në zbatimin e masave të shpallura në Këshillin Evropian të Versajës, si impianti i depozitimit të gazit në nivel evropian dhe impianti i përbashkët i furnizimit me gaz.

E pyetur nëse ndonjë kompani evropiane e ka paguar Moskën në rubla për gazin, ministrja franceze u përgjigj:

"E rëndësishme është të tregojmë se të gjithë jemi dakord të vazhdojmë të paguajmë në euro dhe se nuk do të pranojmë të na imponohen në mënyrë të njëanshme kontratat e ndryshuara".

Në fund, e pyetur për të komentuar qëndrimin e Hungarisë, ministrja franceze tha se ajo është “konstruktive”, si të gjitha vendet e tjera, sepse të gjithë janë të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës që kërkon përgjegjësi të madhe kolektive.